Mes vendeve evropiane që listohen çdo vit, ekspertët e udhëtimeve kanë renditur këtë vit edhe Shqipërinë, si një nga destinacionet më të mira për t’u vizituar në verën e 2023.
Nëse fluksi i turistëve amerikanë verën e kaluar në pikat e preferuara turistike të Europës, nga riviera franceze në ishujt grekë, mori përmasa epike, atëherë këtë vit, kontinenti duhet të presë një cunami gjithëpërfshirës.
“Numri i turistëve amerikanë në Evuopë, këtë verë pritet t’i tejkalojë shifrat e verës së kaluar me 55%”, sipas analizës se kompanisë më të madhe në botë të sigurimeve dhe udhëtimeve “Allianz Partners”.
“Ky vit është edhe më i rezervuar. Nuk mund ta besoj se sa e mbipopulluar do të jetë Evropa. Çdo qytet i njohur e ka tejkaluar numrin e rezervimeve tani”, tha Tania Swasbrook, bashkëthemeluese e konsulencës së udhëtimeve luksoze “Vgari Lifestyle”.
Swasbrook tha se ajo po i këshillon klientët të marrin në konsideratë vizitën në “vendet paralele” dhe destinacionet në Evropë me oferta dhe bukuri të ngjashme, por që nuk janë ende vende me emra të mëdhenj:
Shqipëria
Shumë më pak i frekuentuar nga turistët sesa Greqia fqinje në jug apo Italia përtej Adriatikut. Vendi i Gadishullit Ballkanik, Shqipëria është ende një atraksion sekret, i ruajtur mes udhëtarëve të zgjuar, por nuk ka gjasa të qëndrojë një destinacion i fshehtë për një kohë të gjatë, shkruan CNN.
“Kroatët dhe evropianët në përgjithësi po zbulojnë së fundmi bregdetin shqiptar”, tha Alan Mandic i agjencisë kroate të udhëtimeve “Secret Dalmatia”. “Është një vend i mrekullueshëm dhe është ende tepër lirë. Ushqimi, historia, mikpritja, natyra, plazhet, gjithçka është aty”, shtoi ai.
Ndër plazhet për t’u eksploruar përgjatë asaj që quhet ‘Riviera Shqiptare’ janë Ksamili, pranë kufirit me Greqinë, Himara, Lukova dhe Dhërmiu më në brendësi të vendit, ku mund të ushqeheni lirë me karkaleca deti, oktapod në skarë, peshq të freskët, ndërsa vështroni pamjen vezulluese të detit Jon.