Vonesa në reagimin e policisë pas ngjarjes kriminale në Krujë, solli dhe arratisjen e dy vëllezërve Rraja,
Xhemal dhe Flamur si dhe djalit të ish-deputetit të PS-së Rrahman Rraja, Rexhep Rraja, ky i fundit i skeduar për dhunën ndaj ish-partneres së tij Xhisiela Maloku.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se përgjatë 72 orëve të fundit ka pasur debate dhe prapaskena të forta në lidhje me këtë çështje.
“Ka pasur një presion ndaj Policisë së Shtetit për t’i arrestuar këta persona, në të kundërt do të kishte një largim të kupolës së Policisë së Shtetit. Njeriu i parë që u bë kurban për këtë histori që dëshmoi dështimin e shtetit shqiptar dhe policisë ishte-ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, i cili u shkarkua nga kjo detyrë.
Ka pasur kontrolle të shumta në zonën e Krujës në rreth 20 banesa për djalin dhe dy vëllezërit e ish-deputetit të PS Rrahman Rraja, por nuk janë gjendur.
Vihet theksi te Xhelal dhe Rexhep Rraja, vëllai dhe djali i ish-deputetit të PS-së pasi konsiderohen nga ana e policisë si organizatorë të dhunës barbare ndaj dy anëtarëve të familjes Maja, të cilët konsiderohen problematikë në botën e krimit, të skeduar më herët për ngjarje kriminale, por dhe njerëz të pamëshirshëm për mënyrën se si kanë vepruar”, raportoi Lala.
Por sipas saj, ka dhe një specifikë tjetër në rastin konkret.
“Rrahman Rraja deri ditën e djeshme dhe aktualisht përderisa nuk është firmosur ende vendimi, i gëzon të gjitha të drejtat e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë dhe policia e Shtetit nuk mund të kontrollojë në banesën e tij për djalin apo dy vëllezërit që janë në kërkim dhe do duhej që Kuvendi të vepronte me shpejtësi.
Kjo pasi duhej një autorizim nga Kuvendi për kontrollin.
Kjo nuk ka të bëjë vetëm me një vepër penale si rrahja, sepse kjo është më e pakta për të cilën janë të skeduar apo akuzuar.
Pjesëtarë të fisit Rraja janë të dyshuar për dhjetëra ngjarje të tjera kriminale dhe disa ndodhen pas hekurave.
Kujtojmë Redjan Rrajën që dyshohet si një nga ekzekutorët e atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, ku u vra shoferi i tij Andi Maloku, 22 vjeç”, tha Lala, shkruan “BalkanWeb”.
Po ashtu nipi tjetër i ish-deputetit Ramazan Rraja, djali i Xhelal Rrajës është i arrestuar për krim të organizuar pasi dyshohet se ka qenë i përfshirë në të njëjtën ngjarje kriminale dhe i skeduar për trafik droge dhe i dyshuar nga SPAK për krime të tjera të rënda, mes tyre për pjesëmarrje në disa atentate mafioze vitet e fundit.
I skeduar është dhe djali i ish-deputetit Rexhep Rraja, i cili u akuzua dhe u arrestua për dhunën barbare ndaj Xhisiela Malokut.
Policia u vu nën presion dhe një nga ish-oficerët e policisë u detyrua të largohej nga vendi. Por të gjitha këto lidhje nuk e rrëzuan dot Rrahman Rrajën nga politika, deri ditën e djeshme.