Të fitosh një milion euro në lotari është fat i madh. Por, të fitosh dy herë në të njëjtën lotari brenda një periudhe kohe prej vetëm 18 muajsh, kjo do të thotë të sfidosh ligjet e probabilitetit.
Një burrë nga Eviani i Francës, identiteti i të cilit nuk bëhet publik, do të fusë në xhep edhe një çmim të dytë, pas atij të fituar 1 vit e gjysmë më parë, megjithëse mundësitë për këtë ishin një në gati 16 trilionë.
Gazeta “Le Parisien” thotë se ai ka pasur bileta fituese të lotarisë “My Million” më 11 nëntor 2016 dhe më 18 maj të këtij viti. Fati i lojtarit francez i ngjason atij të një australiani, që fitoi muajin e kaluar dy herë në një lotari lokale, duke rrëmbyer gati 2.5 milionë dollarë.
Lotaria është e lidhur me “Euro Millions”, e cila ofrohet në 12 vende europiane, dy herë në javë, me një çmim të madh prej 100 milionë eurosh. Lojtarët nuk i zgjedhin dot numrat në biletë. Ato përcaktohen rastësisht.