Nis numërimi mbrapsht për zhdukjen përgjithmonë nga politika të ish-presidentit Ilir Meta që aludohet se ka qenë spiun i ish-Sigurimit të Shtetit. 13 korriku pritet t’i hapë rrugë përjashtimit nga politika dhe fusha të tjerë, për këdo që ka pasur lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit dhe ka mbajtur poste në ish-Partinë Komuniste.
Mësohet se Kuvendi ka futur për votim në seancën plenare të parashikuar për 13 korrik dy projektligje të iniciuara nga mazhoranca socialiste, që kanë të bëjnë me verifikimin e figurës së politikanëve në lidhje me të shkuarën e tyre në komunizëm. Në këtë mes rrezikohen dhjetëra deputetë, pasi Autoriteti i Dosjeve zbuloi pak ditë më parë se përveç I.M dhe 6 ligjvënës janë zbuluar të tjerë spiunë në Kuvend.
Projektligjet parashikojnë ndryshime në ligjin “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur si ligji i dekriminalizimit, si dhe në ligjin për partitë politike. Në rastin e parë parashikohet heqja e mandatit të deputetit për personat që verifikohen nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, AIDSSH, se kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit famëkeq dhe në rastin e dytë, këtyre personave u ndalohet të jenë kryetarë të një partie politike. Të dyja iniciativat janë të Partisë Socialiste dhe u dorëzuan vitin që shkoi në Kuvend, pasi AIDSSH njoftoi Kuvendin se një email anonim kishte hedhur dyshime se një politikan i lartë me inicialet I.M kishte qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit.
Sipas propozimeve të PS-së, verifikimit do t’i nënshtrohen edhe personat që janë aktualisht në pozicione të tilla, pavarësisht nëse e kanë apo jo një certifikatë pastërtie nga komisionet “Bezhani” apo “Mezini”. Ndërsa në ndryshimet që do të bëhen në ligjin “Për partitë politike” parashikohet ndalimi i zgjedhjes si kryetar i një partie politike i personave që kanë pasur lidhje me ish-Sigurimin.
“Nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vërteton se kryetari i një partie politike ndodhet në kushtet e ndalimit i kërkon partisë politike shkarkimin e kryetarit dhe zgjedhjen e një kryetari të ri brenda 2 muajve nga konstatimi,” thuhet në relacionin e këtij projektligji.
Ja kush rrezikon
I pari që rrezikon me ndryshimet që pritet të miratohen në Kuvend është spiuni Ilir Metaj. Autoriteti për Dosjet (AIDSSH) njoftoi Kuvendin se në një email anonim shkruhej për një politikan të lartë me inicialet I.M, i cili kishte qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit famëkeq të shtetit.
Gjithashtu të rrezikuar janë dhe zyrtarë të lartë në bashkitë e vendit si dhe në institucionet e shtetit shqiptar. Autoriteti i Dosjeve në raportin vjetor për 2022 ka zbuluar se këto zyra janë mbushur me ish-Sigurimsa. Faktin e tregon numri i ulët i kërkesave për pastrimin e figurave, si nga pushteti vendor ashtu edhe nga partitë. Madje deri më tani në rrjetë kanë rënë 12 spiunë që mbajnë edhe poste.
“Gjatë periudhës janar-dhjetor 2022, shumë organe të pushtetit vendor kanë vlerësuar zbatimin korrekt të ligjit nga ana e Autoritetit dhe kanë mirëpritur kërkesën, për të nisur bashkëpunimin me qëllim ruajtjen e besimit të publikut në punën e institucioneve, por vetëm 9 bashki nga 61 prej tyre kanë paraqitur 22 kërkesa për verifikim të pastërtisë së figurës të 60 shtetasve të propozuar, për 1 kandidat për emërim ngritje në detyrë, 15 kandidatë në kuadër të dhënies së titujve vendor të nderit “Qytetar Nderi”, apo dekorim nga ana e Bashkive dhe 44 kandidatë të propozuar për emërtimin e disa hapësirave të territorit publik.
Janë mbyllur procedurat e verifikimit për 42 shtetas. Mbi bazën e dokumentacionit të administruar nga Autoriteti, vetëm për gjashtë kandidatë, për emërtimin e disa hapësirave të territorit publik, apo dekorim e tituj nderi, kanë rezultuar dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, nga të cilët 5 figurojnë si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit, ndërsa 1 kandidat si dëshmitar në çështje penale politike”, thuhet në raportin e Autoritetit të Dosjeve.
Raporti nxjerr zbuluar spiunët me poste
Gjithashtu Autoriteti i Dosjeve thotë se në sitë janë vendosur dhe kandidatë të tjerë në institucione të tjera shqiptare. “Përveç kërkesave të pushtetit vendor për verifikim të kandidatëve për emërtimin e disa hapësirave të territorit publik apo dekorim të shtetasve, Autoriteti, gjatë vitit 2022, ka kryer, brenda afateve të kërkuara nga institucionet, procedurat për vlerësim të cilësive etiko-morale dhe profesionale të kandidatëve për t´u zgjedhur në organet e reja të vetingut dhe atyre për t’u zgjedhur në/nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, institucioni i Presidentit të Republikës, Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Drejtësisë, Departamenti i Administratës Publike, Akademia e Shkencave dhe institucione të tjera të paraqitura.
Në total, për periudhën janar- dhjetor 2022, nga Autoriteti janë marrë 81 vendime dhe janë verifikuar 210 kandidatë, nga të cilët vetëm për 6 kandidatë rezultojnë dokumente, pra figurojnë në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit si b.p., ose si dëshmitarë në procese politike”, shkruhet ndër të tjera në raport./Sot