Revolucion Dixhital në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, (ASHK). Nga e hëna, datë 3 Korrik, mbyllen sportelet e Kadastrës dhe siç njofton Kryeministri Edi Rama, mbaron “regjimi 30-vjeçar i letrave, vulave, shefave”.
Në prezantimin e kësaj reforme këtë të premte u bë e ditur se gjithçka do të jetë online me nënshkrim e me vulë elektronike.
“Praktika, ‘të paguash për të marrë shërbimin apo të shërbesh duke u paguar’, do të arkivohet si pjesë e historisë së dhimbshme të së shkuarës”, njoftoi Kryeministri Rama.
Drejtoresha e Kadastrës, Dallëndyshe Bici, tregoi se si do të funksionojë arkiva dixhitale e ASHK-së. Ajo thekoi se synimi është që të kalohet nga dixhitalizimi 2D në atë 3D.
“Arkiva dixhitale brenda pak muajsh do të ruhet me sistemin ‘block chain’ dhe funksionimi do të jetë vetëm nëpërmjet e-Albania. Në 3 javët e para kemi bërë një ndërmarrje, me marrjen e vulave të njoma nga drejtoritë vendore. Brenda institucionit, dy tavolina përballë njëri-tjetrit nxirrnin dokumente që kundërshtonin me vulë zyrtare njëri-tjetrin. Qytetarët kishin të drejtë të na mallkonin.
Si mund të eliminonim një sistem agallarësh që funksionon si vilajete, zyrtarë që pronat e shqiptarëve i shikonin si të babës. Përzgjedhja rastësore nëpërmjet një programi që nuk njeh qytetar, nuk njeh qytet, nuk njeh zyrtar. Synimi është të kalojmë nga dixhitalizmi 2D në atë 3D”, u shpreh Bici.
Mbyllen sportelet e Kadastrës, Rama: Të gjitha aplikimet dhe përgjigjet do të merren në e-Albania
U prezantua këtë të premte reforma në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Kryeministri Edi Rama njoftoi se nga data 3 Korrik, Kadastra nuk do të jetë e aksesueshme për publikun. Ai tha se nga e hëna, Kadastra kthehet në makineri dixhitale.
“Ditën e hënë në datën 3 Korrik Kadastra nuk është më e aksesueshme për publikun dhe askënd tjetër. Nga e hëna askush nuk mund të bëjë dot gjë në Kadastër. Askush brenda në Kadastër nuk do mundet dot t’ju përgjigjet. Asnjë nga kushërinjtë që keni futur në Kadastër.
Asnjë nga ata që janë futur në Kadastër se me demek kanë dhënë jetën për PS nuk do ju përgjigjen dot. Pse? Se nuk do të ketë gjë në dorë. Nga e hëna 3 Korrik, Kadastra do të jetë makineri dixhitale, dhe punonjësit aty brenda të cilët një pjesë e them me kënaqësi kanë nisur të largohen, se nuk do të kenë më mundësi të bëjnë asgjë tjetër përveçse të bëjnë punën e tyre para një kompjuteri, nuk e devijojnë dot në asnjë drejtim sipas dëshirës.
Nga 3 Korriku nuk do të ketë më, ‘zgjedh ti se kujt do t’i shërbesh’. Nga e hëna në 3 Korrik punonjësi i Kadastrës në Shkodër do të ketë sipas algoritmit raste për të trajtuar, për një pronë në Delvinë. Punonjësit në Gjirokastër do i dalë në kompjuter për të trajtuar rastin e një prone në Tropojë. Askush nuk do të gjejë dot fillin si trajtohet prona përveç makinerisë dixhitale që do t’i përgjigjet përmes një sistemi elektronik kërkesave të qytetarëve”, tha Rama.
Kreu i qeverisë i bëri thirrje qytetarëve që të mos shkojnë më në Kadastër sepse nuk i pret më askush. Aplikimet, përgjigjet dhe dokumentet do të merren të gjitha përmes e-Albania.
“Qytetarëve i bëj thirrje të mos shkojnë më në Kadastër se nuk i pret më askush. Njësoj siç nuk shkojnë në Bankën e Shtetit se nuk i pret njeri, as atje nuk ka për t’i pritur më njeri. Kadastra është një dritare përmes e-Albania. Kaq! Aty bëhen aplikimet, aty merren përgjigjet, aty vjen dokumenti me vulën elektronike me nënshkrimin elektronik, i pandryshueshëm, i pamanipulueshëm, i patjetërsueshëm. Sistemi do të jetë i tillë që çdo njeri i interesuar për të marrë përgjigje do të shohë se ku është ecuria e procesit”, u shpreh Rama.
Pronat/ Rama-qytetarëve: Ndjesë të madhe në emër të PS për zinxhirin e torturave në Kadastër
Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar ndjesë të gjithë qytetarëve për problemet që kanë hasur me dokumentet e pronësisë në Kadastër. Në një takim të posaçëm ku njoftoi reformën në Kadastrën Shtetërore, Rama tha se ky institucion ka qenë i përfshirë nga korrupsioni nga zyrtarë të institucionit, por dhe ministra, deputetë e kryetarë bashkish. Kadastra, siç tha Rama, duhet të jetë banka e pasurisë së patundshme të qytetarëve.
“E vërteta e parë është se ne nuk kemi arritur, edhe pse kemi pasur kohë të gjatë, që ta transformojmë Kadastrën, në atë që ajo është në vërtetë. Kadastra është bankë. Është njësoj si Banka Qendrore e Republikës së Shqipërisë, njësoj si një bankë e nivelit të dytë ku mbahen kursimet e qytetarëve dhe ku garantohen ndërveprimet e tyre me paranë dhe si çdo bankë, Kadastra nuk është një fole për qoka, për gjithëfarë lloji njerëzish që nuk kanë asnjë lidhje me atë punë”.
“Kadastra është penguar në mënyrë të vazhdueshme, në radhë të parë nga ju. Kur them nga ju, nuk kam parasysh secilin prej jush personalisht, por kategorinë që përfaqësoni, deputetë, ministra, kryetarë bashkish. Për të vazhduar më tutje, të gjithë ata që kanë sadopak pushtet, që i kanë dhënë vetes të drejtën të interferojnë me Kadastrën, si të ishte një ‘rifugio peccatorum’ për të gjitha llojet e nevojave, që nga influenca për emërimet e drejtuesve, influencë deri në imponim, tek influenca për punonjës në Kadastër, deri në imponim, tek influenca për mbështetje për njërin e për tjetrin, e duke penguar Kadastrën që të bëhet ajo që duhet të jetë, banka e sigurtë e pronës së patundshme të shqiptarëve. Kjo është më e hidhura e vërtetë”.
“E shkuara e tmerrshme me harta të konsumuara nga palosjet dhe çpalosjet me tituj pronësie të lëvizshëm sipas interersave e me mbivendosje pronash nga papërgjegjshmëria e plotë, që është karakteristika nr.1 e personave që futen në një mision, jo për të bërë misionin, apo dhe personave që kur duan ta bëjnë punën janë injorantë, ka bërë që ne të trashëgojmë një situatë katastrofike, më katastrofikja në Europë pa diskutim”.
“Sot ne jemi në kushtet kur nuk mund të themi se kemi arritur atë që duhej, përkundrazi kemi parë të ndodhin çudira pas çudirash me pronat e shqiptarëve. Padiskutim që aktori kryesor i gjithë kësaj historie të zymtë është korrupsioni, paraja. Por ajo shprehja ‘kur gjenerali shkul një mollë, ushtarët marrin gjithë pemën’, ka bërë që për shkak se influenca politike mbi Kadastrën e deputetëve, e kryebashkiavë dhe gjithë të tjerëve ka qenë shumë e pranishme, atëherë të tjerët kanë bërë një mijë fishin e asaj që kanë qenë të detyruar nga lidhjet miqësore, familjare, klanore”.
Faljen publike drejtuar qytetarëve, Kryeministri Rama e kërkoi në emër të gjithë Partisë Socialiste.
“Unë dua ta them me gojën plot dhe me kokën ulur se sot është dita për të kërkuar ndjesë shumë të madhe në emër të PS, të gjithë atyre shqiptarëve që kanë kaluar në zinxhirin e torturave në Kadastër. Dhe kjo ndjesë është ndjesa e kryetarit të një partie fajtore. Natyrisht nuk është e gjithë partia, por është udhëheqja e partisë në radhë të parë që ka dhënë shembullin më të shëmtuar për gjithë të tjerët, që u ka thënë të tjerëve se kjo bankë është një han me 7 porta, ku nga porta kryesore futen udhëheqësit pastaj nga portat e tjera futen të gjitha llojet e kategorive”.
Kryeministri Rama: Pres dorëheqje masive nga Kadastra
Kryeministri Edi Rama prezantoi sot reformën në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe duke filluar nga 3 Korriku, nuk do të ketë më sportele fizike, por shërbimet do të bëhen nëpërmjet e-Albania. Teksa bëri akuza të forta për korrupsion në zyrat e Kadastrës, Rama theksoi se pas kësaj reforme pret që të ketë doreheqje masive nga zyrat e Kadastrës Shtetërore. Ndërsa punonjësit e aftë që do të mbeten në detyrë, do të vijojnë trajnimet dhe kualifikimet.
“Pres dorëheqje masive nga Kadastra dhe nga ana tjetër Drejtorja e ka shumë të qartë. E para, punonjësit e kësaj banke duhet të jenë bankierë, jo banakierë, prandaj do t’ju lutesha mos bëni asnjë ndërhyrje për askënd. Rritja e pagave të Kadastrës mund të jetë shumë e konsiderueshme sepse punonjësit duhet të paguhen nga shteti dhe jo nga qytetarë dhe për këtë kemi diskutuar, kështu që unë përfitoj nga rasti që t’u bëj të gjithë atyre që janë profesionistë, në ato profesione që Kadastra kërkon, që të aplikojnë, sepse realisht janë të domosdoshëm. Brenda Kadastrës ka plot njerëz që e dinë punën. Shpresoj që një pjesë e atyre të mbeten. Kush do qëndrojë, do vazhdojë trajnimet, do vazhdojë kualifikimet”.
Kryeministri Edi Rama u kërkoi ndjesë qytetarëve në emër të PS për problemet që kanë hasur me shërbimet në Kadastër.
9 drejtorë Kadastre të ndërruar në Vlorë, Rama: Lajmi im për “ujqërit” që i rrinë rrotull është…
Kryeministri Edi Rama dhe drejtoresha e Kadastrës Dallëndyshe Bici prezantuan sot reformën në këtë institucion që duke filluar nga 3 Korriku nuk do të ketë sportele fizike, por shërbimet do të ofrohen në e-Albania.
Në mesin e akuzave për korrupsion në Kadastër dhe zvarritjen e shërbimeve ndaj qytetarëve, Rama foli edhe Kadastrën e Vlorës, ku brenda një harku të shkurtër kohor janë ndërruar 9 drejtorë.
Kryeministri pati edhe një këshillë për ata që i cilëson “ujqër” të Kadastrës së Vlorës që të largohen. Sipas tij, me dixhitalizimin e shërbimeve në Kadastër, nuk do të ketë më punë për ta.
“9 drejtorë kadastre janë ndërruar në Vlorë deri ditën kur unë i numërova. Pastaj hoqa dorë nga numërimi. Hoqa dorë dhe nga përpjekja si deputet i Vlorës duke u konsultuar me të gjithë se si mund të bëhet duke vënë një….Njëri më problem se tjetri. 9! Lajmi im për gjithë ata që i rrinë rrotull Kadastrës së Vlorës si ujqërit një preje është ikni se nuk ka më Kadastër për ju. Askush aty brenda nuk ju ndihmon dot më sepse atyre brenda në kompjutera do shfaqet Tropoja, Hasi, Durrësi, por nuk do shfaqet Vlora asnjëherë.
Nuk e di sa ju e ndjeni se çfarë ndjej unë kur them këto fjalë. Jemi të gjithë këtu përgjegjësit kryesorë për këtë situatë. Po fus dhe veten time megjithëse në këtë rast ka qenë rasti më evident kur unë kam kuptuar që s’ka pushtet njeri që mund ta bëjë punën që bën dixhitalizimi”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Të pranishëm në prezantimin e reformës ishin Kryeministri Edi Rama, ministra, deputetë socialistë dhe kryebashkiakë.