Hoxha ka kujtuar vrasjen mafioze të bankierit Artan Santo 9 vite më parë në Tiranë. Krim i cili ende nuk është zbardhur dhe nuk janë gjetur porositësit apo organizatorët e atentatit.
“Duke rrëmuar nëpër arkivë. Sot u mbushen plot 9 vite nga vrasja mafioze bankierit Artan Santo në zemër të Bllokut. Sigurisht nuk prisja të gjendeshin porositësit apo organizatorët e atentatit, se ekzekutorët kanë mbaruar punë me kohë. Ishallah, zoti u ka rregulluar një takim me Santon në botën e përtejme dhe sëpaku t’a kenë sqaruar kush ishin “miqtë” që u kujdesen personalisht për fatin e tij…”-ka shkruar Hoxha në Facebook.
26 qershor 2014, vritet Artan Santo
Do të mbahet mend si vrasja më e rëndë e ndodhur në mes të Tiranës, në mes të ditës, ku autorët arritën të largoheshin me qetësi pa u shqetësuar nga Policia. Bankieri Artan Santo sapo kishte zbritur nga makina dhe po ngjiste shkallët për tek hyrja e Bankës së tij, kur dy persona me motor u afruan.
Njëri prej tyre nxori pistoletën dhe qëlloi 4 herë. Pavarësisht angazhimit të gjithë Policisë së Shtetit, asnjë person nuk u ndalua. Edhe sot hetimet për vrasjen e Artan Santon janë në vend-numëro. Asnjë provë dhe asnjë person i dyshuar. Vrasësit dhe porositësit mbeten mister.