Mounia, nëna e Nahelit, 17-vjeçarit me origjinë algjeriane dhe marokene që u qëllua për vdekje nga një efektiv policie të martën ka deklaruar për France 5 se nuk fajëson të gjithë forcën e policisë, vetëm oficerin që qëlloi me armë zjarri dhe vrau djalin e saj.
“Unë nuk fajësoj policinë”, thotë Mounia, por ajo shton se oficeri “nuk duhej të vriste djalin tim”.
“Ai pa fytyrën e një arabi, të një fëmije të vogël, donte t’i merrte jetën”, thotë Mounia.
Ajo drejtoi një marshim më parë, në kujtim të djalit të saj, pasi tha se ai ishte “jeta ime, shoku im më i mirë”. Në një video, të shpërndarë në internet, ajo tha se 17-vjeçari i saj ishte fëmija i saj i vetëm.
“Më kanë marrë fëmijën”, thotë ajo. “Të martën ai më dha një puthje të madhe dhe më tha: “Mami, të dua”, tha ajo. “I thashë: ‘Të dua, kujdes.’ Një orë më vonë, çfarë më thonë? Ata qëlluan djalin tim. Çfarë do të bëj? Ai ishte jeta ime, shoku im më i mirë, djali im. Ai ishte gjithçka për mua.”
Oficeri i policisë i akuzuar për vrasjen e 17-vjeçarit Nahel M. në Paris është akuzuar për vrasje me dashje dhe është arrestuar.