Aleanca PD-LSI duket se po sfumohet çdo ditë e më shumë. Një gjë e tillë është pohuar dje si nga deputetët e PD ashtu edhe nga demokratët që janë pjesë e grupit të kritikëve, të cilët vijojnë të shprehen kundër bashkëpunimit me LSI-në. Por edhe pse LSI, ka nisur t’i jap shenjat e para të distancimit nga PD qysh me çështjen e ministrit Xhafaj, demokratëve duket se nuk u intereson një gjë e tillë pasi janë të fokusuar më së shumti në rikthimin e besimit të qytetarëve tek PD.
Në një prononcim për gazetën “Sot”, deputeti i PD, Astrit Veliaj, duke u ndalur tek çështja e mos koordinimit të veprimeve mes deputetëve demokratë dhe atyre të LSI, deklaroi se këto dy forca janë thjesht në një front opozitar dhe se mes tyre nuk ka asnjë koalicion. Sakaq, Veliaj duke u ndalur edhe tek protesta e të shtunës së PD ku u pa një pjesëmarrje e vogël protestuesish, u shpreh se PD që të rikthehet në pushtet duhet të bëj aleancë vetëm me ndërgjegjen e qytetarëve dhe aleatët tradicionalë. “Partia Demokratike duhet të bëj një aleancë të madhe me ndërgjegjen e qytetarëve për të rritur besimin.
Protesta që kaloi ishte një protestë e vërtetë pasi u bazua mbi çështje të vërteta. Por e vërteta ka si bazë elementin e besimit. Por me këtë elementin e besimit Partia Demokratike nuk e ka një raport të shëndetshëm. Kështu që Partia Demokratike duhet të krijojë një aleancë të madhe me ndërgjegjen e qytetarëve. Që t’i ndërgjegjësojë ata me atë se çfarë po ndodh konkretisht në këtë vend me drogën, korrupsionin etj. Kështu që nëse Partia Demokratike nuk flet moralisht me akuza direkte, populli do mendoj se dhe ajo nuk ka moral. Ndërsa sa u përket koalicioneve Partia Demokratike nuk ka deklaruar që do ketë koalicion me LSI-në.
Jemi në front opozitar për momentin dhe Partia Demokratike do të jetë e vetme për të rritur besimin në popull. Dhe nëse ne risim besimin në popull ne mund të fitojmë krejt të vetëm me koalicionin e forcave të djathta. Koalicionin historik që kemi pasur”, u shpreh deputeti i PD, Astrit Veliaj për gazetën.
Malko: LSI nuk duhet të jetë në listën e aleatëve të PD
Anëtari i Kryesisë së PD, Gent Malko, njëherësh një nga kritikët e Bashës, deklaroi dje për gazetën se Partisë Demokratike nuk i duhet fare LSI për të dal fitimtare në zgjedhje. I pyetur nga gazeta në lidhje me distancimet e LSI, për çështjen Xhafaj, Malko u shpreh se PD nuk duhet të ishte afruar fare me LSI pasi nuk është në listën e partive që Partia Demokratike duhet të bëj koalicion.
Sakaq, anëtari i Kryesisë së PD, Gent Malko duke u ndalur edhe tek çështja e afrimit të zgjedhjeve vendore ashtu si deputeti Astrit Veliaj, theksoi se PD duhet të futet në zgjedhje vetëm me aleatët e saj tradicional.
‘“Sa i takon koalicioni me LSI-në unë personalisht kam qenë që në ditë të parë që s’duhet ta bënim. Pra qëndrimi im. Kështu që nëse nisemi nga kjo premisë që ne s’duhet të bënim fare koalicion me LSI-në atëherë ç’do qëndrim që mban LSI-ja është fare i parëndësishëm për mua. Domethënë për sa kohë unë them që s’duhet të kishim fare, edhe sikur të ishte LSI-ja ajo që të thoshte se duhet të iki Xhafaj, kjo nuk do të ndryshonte gjë në qëndrimin tim në raport me LSI-në.
Madje unë them që e djathta duhet të jetë vetëm fare kësaj radhe. Pra duhet të jetë me aleatët tradicional të vetët. Dhe LSI-ja nuk duhet të jetë fare në listën e partive që ne duhet të bëjmë koalicion, mendoj unë. Kështu që nuk më bën fare përshtypje tërheqja apo qëndrimi për çështjen Xhafaj apo dhe radikalizimi që mund të bënte LSI-ja. Ajo le të thotë çfarë të dojë ne nuk duhet të kishim fare koalicion me LSI-në”, u shpreh Malko.