Shqipëria ka marrë fitoren e parë në grup në eliminatoret e Euro 2024, teksa triumfoi 2-0 ndaj Moldavisë në “Air Albania”.
Ekipi i Silvinjos provoi të zgjidhte ndeshjen që në minutat e para falë lojtarëve individual. I pari që provoi ishte Bajrami, ndërsa pak më vonë nuk kishin shënjestrën e duhur as Uzuni me Ramadanin.
Sokol Cikalleshi iu afrua golit të avantazhit në minutën e 21-të, kur me një goditje nga distanca gjeti traversën. Mysafirët nga Moldavia tentuan të ngacmonin portën e mbrojtur nga Berisha në minutën e 34-të, por prapavija e përfaqësueses tonë ishte e vëmendshme, duke larguar topin nga zona e rrezikut.
Shqipëria nisi pjesën e dytë në mënyrën më të mirë të mundshme. Jasir Asani zhbllokoi takimin në minutën e 51-të, falë një perle. Një kryevepër e Asanit, që ngriti në këmbë gjithë stadiumin. Në minutën e 76-të, goli i qetësisë mban firmën e Nedim Bajramit, i cili realizoi golin e parë me Kombëtaren.
Kështu, Republika Çeke mban vendin e parë në grup me 7 pikë, pasi fitoi 3-0 ndaj Ishujve Faroe. Në vendin e dytë renditet Polonia me 3 pikë, po aq sa ka edhe Shqipëria e vendit të 3-të.