Marketingu i rremë, me qëllim shitjen e medikamenteve të caktuara, është kthyer në një shqetësim serioz në mediat sociale. Mishërimi më i fundit është reklamimi i një metode për të rikuperuar shikimin pa kirurgji me anë të një artikulli të sajuar me personazhe dhe ngjarje të shpikura, tekst të përkthyer keq, dhe foto të marra nga interneti.
Një faqe interneti e dizenjuar për të ngjarë si profili në Facebook i emisionit “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu jep lajmin e mirë se një student, shqiptar mbi të gjitha, ka zbuluar një metodë për rikthimin e shikimit në çdo moshë. Megjithatë, çfarëdo që të klikosh në këtë faqe, do të të dërgojë tek produkti i reklamuar nga artikulli. Kjo pjesë e dizenjos së faqes tregon se ajo shënjestron sidomos përdoruesit që nuk janë shumë familjarë me teknologjinë.
Artikulli reklamë, për t’i dhënë më shumë besueshmëri vetes, është i ndërtuar si një intervistë me ‘studentin shqiptar’, Jakup Cani, i cili mesa duket ka lënë pa fjalë gjithë audiencën në Kongresin e Oftalmologjisë “që u mbajt në Evropë këtë vit.”
Nga një kërkim i thjeshtë në Google, rezulton se Jakup Cani nuk përmendet askund në internet, gjë që është e dyshimtë, nëse ai ka zbuluar vërtet një metodë revolucionare për rikthimin e shikimit, dhe nëse këtë e ka deklaruar në Kongresin e Oftalmologjisë, duke marrë edhe një duartrokitje 10-minutëshe, siç pretendon ‘artikulli’.
“Faktoje” përdori motorin e kërkimit të fotove, TinEye, për të gjetur origjinën e fotos së përdorur nga ‘artikulli’. Nga ky kërkim rezultoi se foto është një foto ilustruese, e cila mund të shkarkohet falas për t’u përdorur nga kushdo.
Çuditërisht, megjithëse ideja e ‘studentit shqiptar’ paska merituar një duartrokitje 10-minutëshe nga oftalmologët evropianë, ‘artikulli’ nuk shpjegon se si funksionon kjo ide. Ai këmbëngul të tregojë se si kjo ide novatore është ‘ndrydhur’ nga kompanitë e mëdha farmaceutike për hir të interesave të tyre financiare.
Kjo taktikë përdoret shpesh në këto ‘artikuj’ që reklamojnë produkte çudibërëse që fshihen nga farmaceutika moderne, gjë që shërben dhe si arsye e volitshme se pse ato mund të blihen vetëm duke u dhënë të dhënat personale si emri dhe numri i telefonit një faqeje pa asnjë lloj kredenciali në internet.
“Faktoje” ka përgënjeshtruar edhe më parë një artikull gati identik me këtë, i cili pretendonte se një ‘studente shqiptare’ kishte shpikur një formulë revolucionare për humbjen në peshë, dhe kishte marrë një duartrokitje 10-minutëshe nga Kongresi Evropian i Endokrinologëve.