Për mua, problemi nuk është se rroga e Fevzos – e cila edhe nē mos qoftë kaq do jetë diku afër – ka goxha diferencë me gazetarët e lajmeve.
Adrian Thano
Portali ResPublica, qëndrimi editorial i të cilit mëton të djathtën reale dhe është kritik me Ramën, ka botuar dje një shënim mbi lajmet që qarkullojnë për lëvizjen e emisionit të B.Fevziut (Fevzos) nga Tv Klan në TCH.
Shënimi përmend edhe rrogën e re të mundshme të drejtuesit të emisionit Opinion, i cili njihet edhe më herët për pagesat e larta dhe përdorimin e statusit mediatik në çështje të dyshimta pronësie.
ResPublica shpreh indinjatë të kuptueshme pse rroga e re e Fevzos përflitet se do arrijë në 45 milionë lekë (të vjetra), ndërkohë që reporterët, pra gazetarët e të njëtit kanal, apo gazetarët e lajmeve në përgjithësi, marrin paga sa 1 e 100 e kësaj shifre.
Shënimi i ResPublica-s titullohet “Lëvizja(e përfolur) milionere e Fevziut drejt TCh dhe stanjacioni i proletariatit të reporterëve”:
Shkruan ndër të tjera Respublica :
“…Pagesa eventuale e z. Fevziu është çështje private, por ajo është e tillë saqë patjetër do të diskutohet në mjediset gazetareske. Si mundet të përligjet nga një kompani që kërkon të ecë përpara kjo diferencë në pagesë mes një gazetari që drejton një emision dhe reporterëve apo redaktorëve të newsroom?
Si mund të punojë në këtë klimë deprimuese një reporter të cilit i kërkohet të klimatizohet me “revolucione” drejtorësh, kundrejt një pagese minimale dhe që lëviz ngadalë dhe për një punë që në televizione po mbetetet anonime? Në një redaksi të tillë është e vështirë të punohet dhe të mbetet diçka nga profesioni kur vihen vija të dallueshme mes një aristokracie fiktive dhe një proletariati që nuk po afirmon dot forcën e vet pse nuk e njeh ende”.
Për mua, problemi nuk është se rroga e Fevzos – e cila edhe nē mos qoftë kaq do jetë diku afër – ka goxha diferencë me gazetarët e lajmeve.
Po të jetë për diferencën mes yjeve televizivë si Fevzo dhe kolegëve që u mbajnë 12 orë në ditë mikrofonat ngrehur yjeve politikë, Fevzua me atë nivel vaniteti që ka do gjente shumë shpejt shembuj krahasues vërtet përndritës nga bota, të mjaftueshëm për ta hedhur poshtë argumentin.
Dhe në fakt, pagesa e Fevzos nuk ka pse lidhet me pagën e gazetarëve që punojnë apo që do punojnë në të njëjtën media me të. Nuk varet as nga miqësia me Benin. Dhe kjo nuk po ndodh sepse Fevzua dhe Beni i Topit (ose Beni i ish-Libras), po ia hedhin Vjollcës.
Fevzua dhe çdo gjë që ka të bëjë me të varet nga shikuesit e tij. Çdo trajtim i tillë ekskluziv ndikohet së pari nga perceptimi i suksesit që kanë për Fevzon ata që janë gati t’ia marrin në konsideratë shifra të tilla.
Kësisoj, kush nuk është dakord me pagën e re të Fevzos, me vilën e tij të re në mal që e reklamoi së fundmi, me vilën e vjetër në det që nuk e kemi parë ende, me vilën e ardhshme kudo që do jetë ajo, apo me udhëtimet, kostumet e shtrenjta, orët e luksit, tullën shkëlqyese të Fevzos, etj, pra kujt nuk i pëlqejnë të gjitha këto, nuk ka as pse fyen Fevzon, e as pse shfryn në rrjete sociale, apo në hapësirat për lexuesit në gazetat dhe portalet online.
Mjafton të bëjë një gjë të vetme: Të mos e shoh më teatrin me maska që drejton Fevzua.
E njëjta gjë mund të thuhet për politikanët të cilët dikur denonconin ushqyerjen e Klanit (e rrjedhimisht luksin e Fevzos) me fonde të buxhetit të shtetit dhe më pas nga denoncues të ashpër, u kthyen në vizitorë të rregullt propagandues të studios së tij.
Këta të fundit, madje, veç pultit të TV, kanë në dorë shumë më tepër se qytetari i lodhur apo reporteri i nëpërkëmbur.
Kanë në dorë bojkotimin publik të Fevzos dhe vendimmarrje të tjera denoncuese që lidhen me hetimet e premtuara kundër ish-regjimit dhe apologjetëve të tij në media.
Që të mos e zgjasim, kjo është historia, fare e thjeshtë: Shikuesit që nuk e duan, mjaft të mos e shikojnë. Vendimarrësit që e frekuentojnë, duhet ta bojkotojnë.
Nëse as shikuesit, as përfaqësuesit e tyre politikë, nuk munden ta bëjnë këtë, do të thotë që Fevzua e meriton plotësisht rrogën që ka dhe rrogën që po kërkon, mjafton të jetë në rregull me zyrën e taksave.
Punë të mbarë, Fevzo. Për mendimin tim, jo 45, po 90 të kishe kërkuar. Këto kohë janë të arta për ata si ty. Dhe të pamundura, tjetërkund Kështu që gëzoju shumë dhe shpejt mrekullive të katundit tonë të papërsëritshëm./dita/