Donald Trump dhe ndihmësi i tij i ngushtë Walt Nauta tani janë të arrestuar në gjykatën amerikane Wilkie D Ferguson Jr në Miami, përpara se të njihen me aktpadinë për akuzat federale në lidhje me dokumentet e klasifikuara të qeverisë të gjetura në Mar-a-Lago, raporton CNN.
Ish-presidenti i SHBA-ve, Trump dhe Nauta pritet të dalin në gjykatë së shpejti për akuzat se kanë mbajtur gabimisht dokumentet e klasifikuara.
Megjithatë, sipas CNN nuk pritet që Trump të kalojë natën në qeli pasi ai do të lirohet me kushtin që do të jetë prezent në seancat gjyqësore të radhës mbi këtë çështje.
Dokumenti federal radhit 31 akuza ndaj ish-Presidentit Trump për “mbajtje të qëllimshme” të informacionit të klasifikuar të sigurisë kombëtare, për secilin nga dokumentet që mori nga Shtëpia e Bardhë.
21 prej këtyre dokumenteve gjendeshin ndër mbi 100 dokumentet që FBI-ja i zbuloi gjatë kontrollit në Mar-a-Lago në gushtin e kaluar.
Akuza thotë se dokumentet përmbanin informacion të klasifikuar për programet bërthamore të Shteteve të Bashkuara, për pikat e dobëta të Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve aleate në rast të një sulmi, si dhe planet për përgjigjen e mundshme ndaj sulmit. Akuza thotë se ekspozimi i këtyre dokumenteve mund të rrezikojë sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Gjashtë akuzat e tjera – ku përfshihet pengimi i drejtësisë, konspiracion për të penguar drejtësinë dhe deklarimet e rreme – kanë të bëjnë me përpjekjet e zotit Trump për të penguar hetimin dhe për të fshehur mbajtjen prej tij të dokumenteve të klasifikuara.