Frika e mbëritjes së “dallgës” së refugjatëve Sirianë nga Greqia në Shqipëri, ka sjellë dhe reagimin e strukturave policore, të cilat kanë blinduar 5 pika doganore, në jug të vendit. Mbyllja e kufinjve në territorin Maqedonas dhe atë Bullgar, shtete këto që nuk kanë pranuar të presin më emigrantë nga Siria, apo vendet e tjera të Lindjes së Mesme të përfshira në luftë, ka shumë gjasa që masa e madhe e emigrantëve që ndodhet në kampet Greke, të rjedhë në Shqipëri.
Për t’i bërë ballë kësaj situate Policia e Shtetit ka mobilizuar strukturat e kufirit dhe komisariatet kufitare. Në mbështetje të tyre mësohet se janë vënë rreth 250 efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, që janë dislokuar në pikat doganore të “Qafë-Thanës”, “Kapshticës”, ”Tre Urat”,”Kakavijës” dhe “Qafë-Botës”.
Këto forca janë janë në gadishmëri dhe mbikqyrin situatën në kufi. Sipas një burime pranë policisë së Shtetit këto struktura të specializuara për menaxhimin e turmave, janë transportuar në kufirin jugor nga repartet e FNSH-së së Tiranës, Fierit dhe Shkodrës.
Ndërkohë në mbështetje të FNSH janë dhe strukturat e drejtorisë së Kufirit, të cilat gjatë kësaj kohe kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me autoritet greke dhe agjentët e “FRONTEX”, për të mësuar lëvizjen e karvaneve të emigrantëve sirianë.
Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat në 5 pikat doganore, ku tashmë janë dislokuar grupe të gatshme të FNSH, të cilat kryejnë shërbim në 24 orë. Këto efektivë, kryejnë dhe patrullime të vazhdueshme në zonën e gjelbërt të kufirit, me qëllim evidentimin e çdo rasti të shkeljes së kufirit nga ana e emigrantëve siriane.
Mbështetja ekonomike
Këto masa meren në kuadër të sigurimit të kufinjve, pasi shumë vende të ballkanit, kanë vendosur të mbyllin kufinjtë e tyre me Greqinë. Maqedonia dhe Bullgaria, nuk kanë pranuar kalimin e emigrantëve të ardhur nga Linjda në hapësirën e tyre, dhe se nismës së tyre tashmë i është bashkuar dhe Shqipëria, e cila gjatë kësaj jave ka blinduar 5 pikat hyrëse me Greqinë, duke i përforcuar ato me efektivë të FNSH dhe agjentë të “FRONTEX”.
Edhe pse, Shqipëria ka hapur 3 ambjente për pritjen e rrefugjatëve, duke përshtatur hapësirat e ish-reparteve ushtarake të kufirit, sërisht vendi ynë nguron pritjen e refugjatëve. Kjo pasi dhe vetë BE, nuk ka dalë me një vendim konkret, për mbështetjen financiare.
Fatura ekonomike
Pritja e refugjatëve, ka një faturë financiare për ekonominë e vendit, pasi ardhja e mijërave personave në teritorin tonë kërkon një fond ekonomik të posaçëm, për veshmbathjen e tyre, trajtimin mjekësor, ushqimin dhe higjenën. Nëse kjo mbështetje financiare nuk vjen nga BE, atëherë ka shumë gjasa që Shqipëria të vazhdojë të mbajë mbyllur kufinjtë duke mos lejuar asnjë refugjat të hyjë në teritorin Shqiptar.
Madje dhe ata pak refugjatë që arrijnë të hyjnë dhe kapen në brendësi të kufirit, janë kapur dhe rikthyer sërisht mbrapsht në shtetin Helen. Askush nga refugjatët e kapur nuk kërkon të qëndrojë në Shqipëri, por vendi ynë përdoret si korridor kalimi i refugjatëve, për të kaluar më pas në Itali, me gomone dhe mjete të ndryshme lundruese por edhe duke kaluar nga Mali i Zi.
Nëse kjo do ndodhte, atëherë më e rrezikuara në këtë rast do të ishte Italia, por edhe Shqipëria, pasi do të sillte rilindjen e vrullshme të trafikut klandestin në rrugë tokësore dhe detare, duke sjellë pse jo dhe tragjedi si ato të vitit 1997./Shqiptarja.com