Më një pozim mes një fushe me grurë, tipike që të kujton imazhet idilike të propagandës së dikurshme socialiste, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, u ka përcjellë një mesazh bujqve ankimtarë nuk ka treg për grurin vendas.
“Këtë vit prodhimi i grurit është mjaft i mbarë në të gjithë vendin, madje më shumë se një vit më parë.
Të gjithë e dimë se në vjeshtën e shkuar kur ky grurë u mboll çmimi i naftës për shkak të Luftës së Putinit ishte mjaft i lartë dhe qeveria bëri një përpjekje shumë të rëndësishme ashtu si edhe në vitin e kaluar për të ndihmuar me naftën falas një numër të konsiderueshëm bujqish”, tha politikani i lartë i mazhorancës, duke theksuar më tej se “sfida prej 15 Qershorit mbetet garantimi i grumbullimit dhe shitjes tek fabrikat e miellit në vend të grurit vendas”.
“Këtë javë do të takohemi me kompanitë shqiptare të cilat merren me importin e drithërave, për t’u kërkuar të mbështesin dhe grumbullojnë prodhimin tonë të grurit.
“Thirrja ndaj kompanive shqiptare të cilat importojnë grurë është që të fokusohen tek blerja e grurit vendas”, tha Balla.
Por tej mesazheve me natyrë politico-ekonomike, ajo që bie në sy është pikërisht pozimi i tij alla kooperativist.
Si të qe për kopertinën e revistës Ylli, aty Balla ngjan dhe me një kryetar kooperative të dikurshëm, nga ata me rendimente të larta që më pas partia i zgjidhte në forumet e saj, ose ose u jepte përgjegjësi të larta zyrtare, siç ndonjë emërim në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, te Bashkimet Profesionale, ose deri part apo ministri. /tesheshi.com/