Bardhyl Martiniani ishte një ndër kameramanët më të njohur në kinematografinë shqiptare para viteve ‘90-të.
Operatori i shumë filmave të njohur të asaj periudhe, Martiniani, tashmë i ndjerë, ka rrëfyer kohë më parë për gazetën Panorama një ndër momentet kur aktorja e njohur Yllka Mujo u kërcënua seriozisht nga sistemi, pasi u spiunua nga shoferi i furgonit.
“Jo vetëm për aktorët, kishte raste kur toleronin edhe për individë të fushave të tjera. Sa u përket kineastëve mund t’ju përmend një rast që i ka ngjarë aktores Yllka Mujo”, tregon ai.
“E thirrën një herë në zyrat e famshme të asaj kohe. Kjo ndodhi sepse një shofer furgoni kishte dëgjuar një bisedë të sajën me një shoqe. Ato flisnin lirshëm ndërsa ishin duke udhëtuar.
Siç duket, çka kishte thënë s’u kishte pëlqyer fort besnikëve të partisë dhe e paralajmëruan ashpër.
‘Ne të bëjmë atë që s’e ke parë as në ëndrrat më të këqija.
Jo vetëm mishi, por edhe kockat të përfundojnë atje ku s’ta pret mendja’.
Ajo ishte ishte vajzë e re në atë kohë, imagjinoni tmerrin në ato zyra”, tregoi operatori Martiniani.