Ata, deri më sot nuk kanë dhënë as më të voglin kontribut në interes të vendit përveç shpifjeve, baltosjes dhe mashtrimit… Kultura osmane e “Babaleve” dhe “Baftjarëve” vazhdon. Jo më kot shkruante Faik Konica: “Kultura osmane kufizohej vetëm në përdorim pomadash dhe shpërdredhje çupëlinash”!
Pandeli Bardhi
Që bëhen bashkë është një gjë e mirë dhe ku ta gjesh sikur të gjitha partitë të bëhen bashkë. Do të ishte një shembull i shkëlqyer sikur “Babalet” dhe “Baftjarët” të bëheshin bashkë dhe të lobonin që Shqipëria të hapte negociatat me BE-në?
Por, a e dini përse janë bërë bashkë “Babalet dhe “Baftjarët”? Janë bërë bashkë, që Shqipërisë të mos i hapen negociata me BE-në. “Babalet” dhe “Baftjarët, bëhen tok që të lobojnë edhe me “djallin” në botë që Shqipërisë, të mos i hapen negociatat sepse ka një qeveri të “krimit dhe të drogës”. Ata bëhen bashkë, sikur duan të thonë që edhe bashkimi midis tyre të fillojë nga “pika zero” si edhe për hajdutët e tyre të mëdhenj! Kjo është e para që i bashkon.
E dyta që i bashkon, si hajdutë që janë, “Baftjarët” kanë bërë një propozim. Tërë hajdutët LSI-stë, kanë vjedhur ç’kanë vjedhur këtej e tutje, të quhen sikur nuk kanë asnjë qindarkë në xhep dhe të fillojnë mbushjen e tyre nga e para, pra të fillojnë nga “pika zero”! Kjo “shpikje” mund të quhet edhe shpikja e shekullit! O tempora o Mores.
Ky propozim i ka entuziazmuar shumë edhe “Babalet” edhe Keidat e Kërpacët. Tërë deputetët dhe ish ministrat e LSI-së mbasi u majmën mirë e mirë me djersën e këtyre qytetarëve, tani edhe tallen dhe duan të vijnë në pushtet për të mos vjedhur! Këtej e tutje do t’i harrojnë zakonet. Këta krerë LSI-sta, të ngjyrës jeshile, të hurit e të litarit, janë bërë bashkë me “Babalet” blu dhe puthen me ta si për të bërë karshillëk para qytetarëve se “nuk po i zë gjumi” për hallet e popullit!
E keqja e këtij bashkimi të “Babaleve” me “Baftjarët” është ajo që, pavarësisht ngjyrave që kanë dhe bindjeve partiake, i bashkon vetëm zelli kundër interesave të Shqipërisë. Është e vërtetë që ata shohin njëri nga “krushka” e tjetri nga “mushka”, por ama e dinë se ku ka “zjarr” e ku del “tym” ku është sofra shtruar e ku ka “raki Skrapari”! “Babalet” dhe “Baftjarët” janë simboli i shpifjeve dhe mashtrimeve dhe i bashkon vetëm e keqja kundër Shqipërisë.
Ata, deri më sot nuk kanë dhënë as më të voglin kontribut në interes të vendit përveç shpifjeve, baltosjes dhe mashtrimit… Kultura osmane e “Babaleve” dhe “Baftjarëve” vazhdon. Jo më kot shkruante Faik Konica: “Kultura osmane kufizohej vetëm në përdorim pomadash dhe shpërdredhje çupëlinash”!
Vetëm aroma e pomadës të “Baftjarëve” u “gërvisht hundën “Babaleve”. Këta japin edhe shfaqje para shqiptarëve dhe puthen për të treguar se sa në “unitet” janë ata, pavarësisht ngjyrave blu dhe jeshile. “Baftjarët” e LSI-së, deri para pak muajve ishin në koalicion me “vulëhumburit” e Rilindjes, ku e shijuan mirë rakinë e Skraparit dhe ishin “djem për së mbari” dhe shpresuan që në të ardhmen “t’u shkonte jeta për së mbari” e “të ndizej zjarr vallja e Baftjarit”.
Fill mbas shkëputjes nga koalicioni, vendi u mbush me drogë e krim dhe ata që nuk u “prekën” nga kjo e keqe, ishin “Babalet” dhe “Baftjarët”! Përveç sa kanë vjedhur LSI-stët dhe “Babalet” janë shijuar edhe me amnistinë, që Rilindja u bëri debitorëve biznesmenë dhe institucioneve të shtetit për energjinë elektrike prandaj kërkojnë amnisti edhe për hajdutët me “çizme” të politikës. Nuk u bë kjo amnisti për të mjerët pensionistë që shkojnë e zënë rradhë të parët për të paguar detyrimet, për të mos mbetur debitorë.
Atyre nuk ua lejon sedra që kanë për të mbetur debitorë ndaj shtetit, kurse atyre “fakirëve” politikanë që nuk u bën përshtypje babëzia që bëjnë, u falen detyrimet! Kush janë në burg? Ata që janë debitorë një apo pesë mijë lekë në shtet. Këta janë “e keqja” e këtij vendi! “Babalet” blu janë bërë edhe prokurorë, janë bërë edhe gjykatës, janë bërë edhe informatorë që qëmtojnë në detaj çdo gjë, bile edhe një “qime” që lëviz qeveria.
“Trarët”, Babalet dhe “Baftjarët që pengojnë rrugën për në Europë, jo vetëm nuk i shohin, por i vendosin vetë dhe bile sa më shumë që mazhoranca të mos i kapërcejë dot. “Hollanda është skeptike dhe nuk do që qeveria e inkriminuar e Ramës të hapi negociata” thërret një “shpellar”, “Me qeverinë e narko trafikut dhe të krimit që ka Edi Rama ta harojë se do të hapen negociatat” e pason Basha.
Më kot bën përpjekje Edi Rama! Këtë e kanë vendosur “Babalet” dhe “Baftjarët”, që Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat! Raporti gjerman e përcakton qartë: “Për Shqipërinë, problem është bojkoti i Parlamentit dhe protestat e opozitës”. Pikërisht këtyre u mëshojnë “Babalet” dhe “Baftjarët”. Vjen dita e enjte dhe “gladiatorët” “Babale” rrethojnë foltoren, sa për t’i dhënë fuqi Bashës dhe largohen. Më pas fillojnë protestat për largimin e Xhafës. “Korbat” Babale dhe Baftjarë, sa më shumë afron njëzet e tetë Qershori, aq më shumë vrer nxjerrin aq më shumë shpifin e shpifin.
“Shashkat” i hedhin sa andej këtej që bota t’i dëgjojë. E sheh Presidentin tek bëhet çakërrqejf nën tingujt e këngës së Baftjarit dhe mendon se këtu çdo gjë shkon si në vaj! Bashkë me të “argaliset” edhe z. Lu. Ky, në fakt është Iliri, i cili siç shprehet, “beson në çeljen e negociatave”! Po Meta nga mbrapa, çfarë thotë? Meta, nga mbrapa i ngul thikën mbas shpine edhe Amerikës së z. Lu, edhe Europës së znj. Vlahutin, kur me gojën e këshilltarit të tij Dritanit, i mallkon këta që “thefshin këmbët dhe kokën” sepse na “hapën” telashe dhe po na presin riskun për të vjedhur!
E ç’mund të thuhet më shumë që “babalet” dhe “baftjarët” nuk kanë qenë dakord e nuk janë as me vetingun e as me reformën në drejtësi “Baftjarët” janë aq të “besueshëm” sa ishte edhe veterineri Panariti, i cili veshi bluzën e bardhë dhe na “mbushi mendjen” që kastravecët në Myzeqe, ishin “bio” dhe “pa pesticide”! Kështu tha veterineri edhe për miellin serb që “është i garantuar për prodhimin e bukës’ dhe tani na e nxjerr skarco, si miell për mëmëlike!
A janë të besueshëm këta? Kjo u shkon për shtat vetëm Babaleve! “Prokurori” dhe “gjykatësi” Lulzim deklaroi para pak ditëve se “Babales” i janë afruar 200.000 euro që të mbylli gojën për atë që në fakt Babalja ka mashtruar. U bënë bashkë me një palo gazetar si i dalë nga ferrat e Tufinës dhe bënë “shoun e radhës.
“Babalet” dhe “Baftjarët” hedhin ngado shashka dhe turren si egërsirat pas kërmës politikanë analistë gazetarë. Kalon vala dhe më pas bëjnë të njëjtën gjë. Ja, kështu siç turren egërsirat pas kockave. Nuk është faji as i “babalogazetarëve”, as i “babaloanalistëve”, por i oborrit të SHQUP-it që Basha dhe Berisha mbledhin vetëm mbeturina. Brumbujt “ankohen” vetëm atje ku ka pastërti dhe janë të “kënaqur” kur kanë me çfarë të merren për të bërë punën e tyre me “topat” që i rrokullisin. Atyre u pëlqen vetëm atje ku gjejnë ndyrësira. Këtë mundësi, atyre ja krijon vetëm oborri i SHQUP-it.
Vëllai i Fatmir Xhafës ka folur me trafikantët! Që vëllai i Fatmir Xhafës ka qenë trafikant lëndësh narkotike dhe për këtë është dënuar, këtë e di edhe Kejda, por problemi është se çfarë zbulimi është bërë në këtë rast? Trafikantët nuk do të bisedojnë për të bërë dashuri, por do të bisedojnë për të trafikuar lëndët narkotike. Po pse pikërisht tani babalet dhe Baftjarët i mëshojnë këtij problemi? Pse atyre u ka mbetur ora në vitin 2002?
Po marrim rastin sikur kjo të jetë e vërtetë. Po sikur kjo, të jetë një mashtrim siç e kanë zakon “babalet” blu, si do të bëhet? Pse Babalja trembet nga e vërteta dhe shkon në Kosovë? Pse Babalja shkon nga Kulla e Viçidolit të Saliut dhe jo në pikën e kalimit kufitar? Ku është qytetari Dixhital i Saliut? E vërteta është që babalet janë mësuar që të bëjnë vetëm shpifje dhe mashtrime ashtu si i pëlqen Bashës. Hodhi Basha një shashkë në erë për 200.000 eurot që i ofruan Babales dhe kaq. Kush ja dha, kush i mori? Pse nuk merret i pandehur Basha si shpifës ordiner?
Ky shpifës, të gjithë oborrin e tij e ka kthyer në shpifës. Pse nuk e ngre zërin Basha dhe Saliu për ish Kryeprokurorin që ka ikur në drejtim të paditur si dikur Gazidedja? Babalet dhe Baftjarët nuk i mban vendi. Ata rrëmbejnë shkopinj, hekurishte dhe lloj lloj hedhurinash për t’ja vënë në “rrota” Shqipërisë me në krye Sali Lulzimin si njëfarë gazetari Bledi Kasmi, që shkul rrjetën e hekurave për t’ua hedhur policëve dhe më pas akuzon policinë. Ç’deshi ky gazetar me hekurat e gardhit? Cila është detyra e tij? A nuk i mjafton Bledit ajo që vetëm nxin me një fletushkë “paçavure”, me anën e të cilës kërkon të “nxijë” gjithë Shqipërinë.
Pse Bledi nuk qëndron si Parruca në ekranin e televizorit dhe të nxisi që andej protestat, por shkon atje ku kolegët e tij godasin policët me hekurat e gardhit? Nëqoftëse shkoi në protestë si protestues, pse kërkon të mbrohet me statusin e gazetarit? “Është dhunuar fjala e lirë, thotë Albana Vokshi dhe kjo është bërë direkt me urdhër të Ramës”! Sikur të mos i mjaftojnë Ramës kusuret e shumta që i rëndojnë mbi kurriz, jep edhe urdhra për plagosjen e Bledit, “urdhëron” edhe policët që të godasin protestuesit “paqësorë” të Bashës e ç’nuk bën Edi Rama!
“Babalet” po na tregojnë që Edi Rama, aq shumë i ka ushqyer “Babalet” sa që ata, janë në gjendje që të shkulin edhe gardhet prej hekuri dhe t’ua vërvitin policëve si Tarzanë të vërtetë! Çfarë humori shkaktojnë “Baftjarët” e Monikës kur u bën thirrje socialistëve që të “largohen nga Rama” në një kohë që LSI-stët, po ja mbathin një nga një për t’u larguar nga “sofra” e Baftjarit” e cila po boshatiset. “Baftjarë Baftjarë/ Jeni super të paparë? Por, a do t’u shkojë jeta mbarë?