Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se Gjermania dhe Franca u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës.
“Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron, i cili shtoi se u kërkua që të qartësohen edhe rregullat për zgjedhje.
Ai tha gjatë javëve të ardhshme do të ketë “vendim të qartë” për situatën në veri të Kosovës dhe se për këtë gjë u pajtuan gjatë takimeve me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe liderët lokalë – presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Osmani dhe Vuçiçi kanë zhvilluar takime të ndara me udhëheqësit evropianë, në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau.
Situata në veri të Kosovës u tensionua qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb.