Komandanti i KFOR-it, Angelo Michelle Ristuçia, në një intervistë të dhënë për median italiane “La Republica”, ka deklaruars e në rast se trupat e KFOR nuk do të ndërhynin në Zveçan, do të kishte pasur viktima.
“Tani do të mbanim zi për të vdekurit”, ka deklaruar ai, ndërsa ka shtuar se në Zveçan ka pasur persona të cilët me qëllim e kanë nxitur turmën e banorëve serbë të cilët janë mbledhur prej katër ditësh para objektit komunal.
Kujtojmë se rreth 30 ushtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar gjatë përplasjeve me protestuesit serbë, para objektit të Komunës së Zveçan.
Njëmbëdhjetë ushtarë janë të kontingjentit italian dhe 19 të tjerë janë të kontingjentit hungarez.
Lëndimet e tyre përfshijnë fraktura të gjymtyrëve, djegie, ndërkohë që 3 ushtarë hungarez janë të plagosur me armë zjarri.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar nga dita e premte, kur Policia e Kosovës asistoi kryetarët e zgjedhur të komunave në veri, që të hynin në zyrat e tyre në objektet komunale, meqë qytetarë serbë kishin bllokuar hyrjen para objekteve.