Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka gati të dhënat e pastërtisë së figurës dhe të aftësive profesionale për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që ishin pjesë e listës prioritare.
Ajo që bie në sy është se në listën e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të cilët ka mbaruar Vettingu, janë një sërë emrash të njohur, pasi ata kanë shqyrtuar mjaft dosje “të bujshme”, që nga aferat e rrugës Durrës-Kukës, te “Gërdeci”, “ 21 Janari”, apo një sërë padish të bëra ndaj ish –ministrave të Sali Berishës.
Nëse analizojmë të shkuarën e emrave, disa janë të njohur sepse kanë shqyrtuar dosje të rëndësishme. 4 ndër emrat janë që kanë pasur në dorë rastin e 21 Janarit. I pari është Artan Broci, aktualisht gjyqtar i Gjykatës së Lartë. Por kur ndodhi ngjarja e 21 Janarit ai ishte në Gjykatën e Apelit dhe u mor vendimi për dënimin e disa prej anëtarëve të gardës, por dënime minimale.
Ndërkohë prokuroria dërgoi çështjen në Gjykatën e Lartë dhe ata që vulosën mbylljen e saj ishin Edmond Islamaj, Shkëlzen Selimi, dhe Artan Zeneli. Pas zvarritjes për muaj me rradhë, duke e mbajtur dosjen në dhomë këshillimi, në fund u rrëzua ankimi i Prokurorisë së Përgjithshme dhe të gjithë autorët e vrasjes së 4 protestuesve ja hodhën paq.
Selimi ka shqyrtuar dosjen “Gërdeci”. Një emër tjetër është Tom Ndreca. Ai është anëtar i Gjykatës së Lartë aktualisht, por në vitin 2011 ka qenë pjesë e Kolegjit Zgjedhor, i cili bëri Bashën kryetar Bashkie.
Sa u takon prokurorëve VIP, Arben Kraja është ai që ka shqyrtuar dosjen e aferës CEZ,. Një tjetër emër është Dritan Rrshka, i cili në fillim ka pasur në dorë çështjen CEZ-DIA, bashkë me prokuroren tjetër Antoneta Sevdari. Të dy janë marrë me skandalin dhe deri më tani i vetmi që ka shkuar pas hekurave ka qenë ish-administratoti i DIA, Kastriot Ismailaj. Po ashtu ka emra të tjerë që hetuan edhe rrugën Durrës-Kukës. Për të gjithë mbetet të shihet nëse kanë qenë të ndërshëm, apo jo, shkruan Sot.