Të ndodhur nën presionin e konkurencës, për të fituar publik, secili zgjodhi një rrugë alternative. Fevziu zgjodhi atë të spektaklit dhe për hir të tij nuk kurseu asnjë parametër profesional. Të gjithë jemi dëshmitarë se pjesa e dytë dhe e tretë e emisionit ktheheshin në një kakofoni ku folësit mbivendoseshin me njëri-tjetrin.
Dritan Hila
Përfolja për largimin e gazetarit Blendi Fevziu nga televizioni Klan, pavarësisht përpjekjeve të miqve të tij gazetarë për ta paraqitur si eveniment, kaloi pa u vënë re, ashtu sikurse blerja e supozuar nga Top Channel nuk është një ngjarje e merkatos televizive.
Duke folur historikisht, Fevziu dhe brandi i tij Opinion është themeluesi i debatit televiziv i ndjekur vetëm një vit më vonë nga “Dritare” i Rudina Xhungës. Për shumë vite ata do të mbeteshin të vetmet tribuna elitare të komunikimit të politikanëve me publikun por edhe të debateve televizive mes gazetarëve dhe politikanëve apo specialistëve, dhe publiku priste me padurim orarin e tyre. Por kjo kohë ka vite që ka mbaruar.
Të ndodhur nën presionin e konkurencës, për të fituar publik, secili zgjodhi një rrugë alternative. Fevziu zgjodhi atë të spektaklit dhe për hir të tij nuk kurseu asnjë parametër profesional. Të gjithë jemi dëshmitarë se pjesa e dytë dhe e tretë e emisionit ktheheshin në një kakofoni ku folësit mbivendoseshin me njëri-tjetrin.
Askush nuk e mbante mend përse fillonte sherri; vendin e specialistëve dhe profesionistëve e zunë bulldogë dhe pitbullë të skenave televizive të cilët të vetmen aftësi kishin për të debatuar pa e pasur në vesh se çfarë thoshte bashkëbiseduesi dhe rëndësi kishte shfaqja. Ishte lloji i spetakli me më pak kosto pasi aktorët ishin falas. Ky format solli që shumë specialistë apo intelektualë të mos merrnin pjesë në emisione duke sjellë zëvendësimin e tyre me gjithfarëditës që flasin me kompetencë nga çrregullimet seksuale e deri në udhëtimet në Mars.
Rrjedhojë e kësaj ishte rënia e nivelit të ndjekësve. Mjaftonte të shikoje komentet e shikuesve për të kuptuar nivelin e tyre kulturor, dhe pas kësaj bezdinë akoma më të madhe të intelektualëve për të marrë pjesë në debate të tilla.
Si një ndër dy emisionet më të mëdha për kohën, tërhoqi nga mbrapa edhe ata që erdhën më vonë. Për shkak të presionit të audiencës; të pronarëve që kërkojnë shikueshmëri; për mungesë stafi që të bëjnë emisione cilësorë apo të kollajllëkut duke mbledhur gjashtë veta me të vetmin preokupim që të stimulosh sherrin, solli rënien e cilësisë dhe rrjedhimisht të audiencës.
Futja e emisionit katër herë në javë ishte grushti i fundit në shkatërrimin e këtij formati emisionesh. Shqipëria nuk prodhon aq shumë ngjarje dhe personazhe që të ketë vend për katër emisione në javë, krahas dhjetërave që janë në kanalet e tjerë. Detyrimisht gjithçka do binte në mediokritet.
Gjithë historia tjetër është llogjika e biznesit e Aleksandër Frangaj. Mbase Frangaj i ka kërkuar zhvendosjen në kohën e dytë; mbase i ka kërkuar reduktimin e emisioneve dhe të shpenzimeve. Fevziu nuk do ketë pranuar pasi e konsideron rënie prestigji. Kuptohet në intervistën që jep se Fevziu është i trembur dhe e kërcënon se Klan do pësojë fatin e TV Arbërisë nëse nuk ka emision politik, e cila për hir të së vërtetës falimentoi për shkak të shkujdesjes së pronarit dhe jo sepse i munguan muhabetet politike.
Kalimi ose jo e Fevziut në Top Channel është thjesht një çështje teknike. E vërteta është që njerëzit janë lodhur nga emisionet tallava. Nuk kishte si ndodhte ndryshe me këto krijimtari sui generis të tregut shqiptar. Le të shërbejë kjo ngjarje për riformatimin e tregut ku gazetarët ose të bëjnë emisione politike ose spektakle, ku politika ka fashën e saj elitare të publikut dhe nuk ka pse konkuron spektaklin. Në u mbyllshin fare, askush nuk do t’i qajë.