Kryetari i SPAK, pasi justifikoi dështimet dhe pisllëqet e paraardhësit Arben Kraja, e tha troç në komisionin e ligjeve: – Goditjet në nivelet e larta të politikës janë vonuar e do vonohen, sepse krimet e “Jakave të bardha” janë çështje penale shumë të vështira për t’u provuar”…
Me deklarata zhgënjyese për shqiptarët e qetësuese për politikanët, kryetari, Altin Dumani i shoqëruar nga ish-kryetari Arben Kraja, raportoi në Komisionin e Ligjeve për punët e SPAK në vitin 2022, duke fshehur e justifikuar dështimet e Arben Krajës.
Shqetësuese ishin deklaratat për mos goditjen në nivelet e larta të politikës, të cilat na krijuan bindjen, se as “hardhuca” Altin Dumani nuk do t’i çojë para drejtësisë “peshkaqenët” e politikës dhe bosët e krimit të lidhur me ta, duke nxjerrë justifikime që nuk i pranon as logjika fëminore.
Pyetjes, se përse nuk finalizohet hetimi për landfillin e Tiranës, Altin Dumani iu përgjigj: – Është çështje e komplikuar që kërkon më shumë kohë dhe me shumë agjentë të BKH e prokurorë.
Por në fakt, landfilli i Tiranës nuk ka nisur fare si hetim dokumentesh e personash përgjegjës, por vetëm si procedurë prokurimi nga Lefter Koka e Alqi Bllako dhe është lënë pezull, madje gjatë 6 muajve të drejtimit nga Altin Dumani, kjo dosje nuk është prekur fare.
Sepse personat përgjegjës të cilët kanë sajuar dhe urdhëruar aferën e Landfillit të Tiranës, janë dy kapot e qeverisë: kryeministri Edi Rama dhe sekretari Ëngjëll Agaçi.
Prandaj, Altin Dumani që u betua si ‘trim” kur mori detyrën, nuk guxon t’i godasë këta e zvarriset me justifikime, sidomos pas marrjes në pyetje të Ëngjëll Agaçit, të cilin SPAK nuk e ka thirrur më, duke e lënë në heshtje, ndërkohë që për Fierin e Elbasanin i dhanë masat e dënimit.
Kujtojmë, se para gazetarëve më 31 mars 2023, Altin Dumani, tha: – “Hetimi për Landfillin e Tiranës është lënë pezull, ngaqë nuk e dimë cilët janë pronarët e vërtetë, por edhe po t’i zbulojmë, kemi frikë se çojnë qeverinë në arbitrazh”.
Për dosjet e shtetarëve dhe ish-shtetarëve të lartë që janë hapur e rihapur, Altin Dumani lexoi një statistikë shifrash sikur është drejtor i INSTAT, pa guxuar të përmendte emrat e Sali Berishës, Ilir Metës, Edi Ramës, Belinda Ballukut, Arben Imamit, Ilir Beqjes, Genc Pollos, Genc Rulit, Olta Xhaçkës, Ogerta Manastirliut, Monika Kryemadhit etj.
Kryetari i SPAK e tha troç e publikisht, që këta nuk do preken nga drejtësia, duke u justifikuar, se “krimet e jakave të bardha në tenderë, koncesione, ankande, privatizime e vjedhje të pasurive publike, janë çështje penale shumë të vështira për t’u provuar”.
Kjo është deklaratë e turpshme nga kryetari i SPAK, që bashkë me 17 prokurorë e 78 hetues të BKH, paguhen nga 5000 Euro në muaj dhe kanë privilegje e shërbime speciale deri te siguria për vete, familjarët e pasuritë personale.
Altin Dumani, deklaroi se ka lënë pezull hetimet për bosët e krimit që fshihen në Dubai, por nuk tha, që në muajin mars 2023, ministri Bledar Çuçi i refuzoi rezolutën e SPAK, për t’i kërkuar Shtetit të Emirateve ekstradimin e 24 bosëve më të kërkuar.
Pas refuzimit të Çuçit, kryetari i SPAK, Altin Dumani heshti dhe anuloi kërkesën, sepse shumica e atyre që janë në Dubai, si Amant Josifi i Call-Center, Trifon Murati i “Bana King” e Florenc Çapja i Elbasanit, janë të lidhur në krime e biznese me krerët e pushtetit, prandaj ish-kryetari i SPAK, Arben Kraja, i lejoi të arratiseshin para se të nxirrte urdhrat e arrestimit.
Të vetmes pyetje të bërë nga deputeti Gaz Bardhi, që Altin Dumani nuk iu përgjigj, ishte kjo: – A do jepni ju shembullin e parë si Kryetar i SPAK, për të arrestuar një “peshkaqen” të politikës?
Por na dha këtë shpresë: “Ne do godasim në nivele të larta kur të zbulojmë prova, rezultatin do ta shikoni pas 1 viti kur të raportojmë përsëri”. Pra, i njëjti refren në 30 vite./Pamfleti