Bashkia e Himarës vijon të jetë pikëpyetja e vetme e zgjedhjeve vendor të 14 majit pasi fituesi i garës është prapa hekurave. Me një kryetar të zgjedhur në ambientet e paraburgimit, fati duket se i bie në dorë kryetarit të detyrë Jorgo Gori, i cili do të vijojë ushtrimin e mandatit përtej 4-vjeçarit që kishte fituar në 2019.
“Nëse do të marrim Himarën do ta krahasoja me Shkodrën në zgjedhjet e shkuara. Ligji parashikon që kryetar në detyrë qëndron aty derisa të bëhet betimi i kryetarit të ri”, u shpreh juristi Bledar Dervishi.
Sipas juristit Bledar Dervishaj, gjithçka lidhet me pamundësinë e Belerit për të bërë betimin përpara këshillit bashkiak.
“Do të duhet që të konstituohet Këshilli Bashkiak dhe më pas i vjen para radha kryetarit të Bashkisë, mandati i të cilit përpos proceseve ankimore, do të duhet të marrë edhe një procedurë gjyqësore për certifikimin e rregullshmërisë së zgjedhjes së tij”, tha Dervishi.
Por nëse Beleri nuk shkon dot në Këshill, a mund të shkoj Këshilli tek Beleri?
“Ligji nuk parashikon seku zhvillohen mbledhjet e këshillit. Sa i takon mbledhjes fillestare, këshillimund ta bëj edhe jashtë ambienteve të bashkisë, ndërsa të tjera si rregull brenda ambienteve të këshillit. Nëse do të shkojë apo jo në ambientet e paraburgimit për të marrë një betim, mua më duket tendencioze”, u shpreh Dervishi.
Arsyeja e dyshimit të juristit vjen për shkak se kjo hallkë proceduriale, pra betimit përpara këshillit, është ajo që i ka lidhur duart të dyja palëve, Belerin për të marrë detyrën e Ramën për ta shkarkuar.
“Sot kryeministri nuk mund ta shkarkojë sepse z. Beleri nuk ka filluar ushtrimin e mandatit. Pra do të duket tendecioze për ta vendosur në një procedurë, që ose ta refuzojë ose të marrë mandatin që ta shkarkojë Këshilli i Ministrave”.
Zgjidhen e kësaj çështje e ka Prokuroria e Posaçme, ku sipas parashikimeve ligjore, ka tre muaj kohë për të përfunduar hetimin e çështjes e më pas, do të jetë bindja e gjyqtarëve të posaçëm për të caktuar nëse Beleri ka shkelur ligjin apo jo.