Ish-presidenti Hashim Thaçi ndodhet sot në Kosovë. Kjo është hera e tij e parë në vend, prej nëntorit të vitit 2020, kur ishte dërguar në Hagë.
Mësohet se ai është liruar për disa orë nga Gjykata Speciale në Hagë, pasi gjendja shëndetësore e nënës së tij nuk është e mirë.
Mediat në Kosovë kanë publikuar disa pamje nga fshati Burojë ku është shtëpia e prindërve të Thaçit.
Sipas burimeve, forca të shumta të sigurisë janë parë në Burojë, ku siç mësohet Thaçit i është lejuar t’i takojë vetëm prindërit e tij dhe askënd tjetër prej anëtarëve të tjerë të familjes.
Po ashtu, në afërsi të shtëpisë së familjes Thaçi në Burojë është i vështirësuar edhe komunikimi, pasi siç duket për shkak të masave të sigurisë është ndërprerë edhe rrjeti i internetit dhe telefonisë.
Nëna e ish-presidentit Thaçi ka dale pak ditë më parë nga QKUK-ja, ku ishte shtruar për 5 ditë radhazi. Ajo, siç mësohet, tani është duke u trajtuar nga mjekët në kushte shtëpiake.
Vizitën e Thaçit e ka konfirmuar edhe Gjykata Speciale.
“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Trupi Gjykues ka udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Hashim Thaçin për të takuar familjen. I akuzuari mbetet në paraburgim nga Dhomat e Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Speciales për Nacionalen.
Aty shihen forca të shtuara të EULEX-it, por edhe disa qytetarë që janë mbledhur në afërsi.
Sipas Nacionale, Thaçi do të kthehet në Hagë me një fluturim rreth orës 18:00 të ditës së sotme.