Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, edhe pse thotë se këto zgjedhje kishin shkelje dhe sipas tij ‘nuk ishin të lira dhe të ndershme’, bën thirrje për reflektim nga opozita me analizë të thellë mbi atë që nuk ka funksionuar.
I ftuar në Report TV, Mediu thotë se mënyra se si u ndërtua koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ nga Berisha dhe Meta bëri që opozita të mos kishte angazhimin dhe sinergjinë e duhur.
“Partia rRpublikanë ka dalë me një rezultat mbi pritshmërinë e saj. Por kemi edhe disa bashki që nuk kemi rezultatin që duhet, kjo edhe për shkak të mungesës së konceptit elektoral nga disa prej drejtuesve të degëve.
Duhet thënë se kjo ka qenë një garë e vështirë Partinë Republikane. Kemi qenë gjithmonë aleatë të PD dhe dalja më vetë për këshilltarë dhe angazhimi për kandidatët poër kryetarë bashkia dhe kjo ka krijuar keqkuptimet. Kjo vjen edhe për shkak të mënyrës se si është ndërtuar Kodi, i ndryshuar në mënyrë të qëllimshme nga Edi Rama para zgjedhjeve të vitit 2021.
Ne jemi renditur si parti e dytë ndër të djathta. Po të ishte Kodi ndryshe nuk do të ishte ky rezultat edhe në mazhoritar, edhe në proporcional. Edhe diferencat brenda PD mund të ishin krejt minimale dhe angazhimi i opozitës do të ishte më i koordinuar. U krijua përshtypje që ishte një koalicion opozitar me emrin ‘bashkë Fitojmë’.
Kjo ishte thjesht një subjekt në koalicionin e madh opozitar. Kandidatët e opozitës mbështetesin nga një aleancë e madhe partish, mbi 20 parti. Në mënyre, ca të qëllimshme apo ca mediokre, ata që formëzuan gabim koalicionin ‘bashkë Fitojmë’ e krijuan këtë idenë sikur ishte vetëm ky koalicion. Për më tepër u përpoqën të impononin kandidatët për kryetarë bashkie.
Për më tepër lista e partive politike opozitare nuk u koordinuan veprimtarinë me kryebashkiakun dhe pati edhe firo. Po të lexoni rezultatet e votave të kandidatit të Bashkë Fitojmë ka qartësisht më shumë vota se subjekti ‘Bashkë Fitojmë’. Pra ka vota edhe nga partitë e tjera”, tha Mediu.
Ai tha se ka ardhur koha që të kemi identitet politik të djathtë.
“Për gjykimin tim kandidaturat për kryetarë bashkie të opozitës në 70% kanë qenë më kualitative, më të mira se të mazhorancës. Por për fat të keq u lanë në hije. U vendos nën hijen e lidershipit politik, duke rënë në lojën e Edi Ramës. Unë pajtohem se ne duhet të bëjmë një analizë për çdo qendër votimi. Se çfarë ka ndodhur? Por në fakt duhet të reflektojmë edhe në raport me veten tonë, ndryshe do të jetë e vështirë të ringrihemi. PD të bashkohet në interesa të qytetarëve dhe demokratëve dhe jo në interesa të individëve”, tha ndër të tjera Mediu.
I pyetur për deklaratat e Berishës se nuk i njeh zgjedhjet e 14 majit, Mediu u shpreh se kjo duhet sqaruar se abuzohet me një shprehje të tillë. Ai tha se ‘nuk i njoh’ do të thotë që të mos marrim pjesë në institucionet që u krijuan nga vota e 14 majit por Mediu tha se kjo votë duhet të respektohet.
“Unë kam bindjen se këto zgjedhje nuk janë të lira dhe të ndershme. Por ccfarë do të thotë që të mos i njohësh zgjedhjet? Do të marrësh në këshillat bashkiakë apo jo? Do t’i çosh kryevashkiakët që kanë fituar në vendin e punës apo jo? Kjo është pyetja?
Ne duhet të respektojmë votuesit e atyre 7 bashkive dhe të bëjmë opozitën në nivel lokal. Sigurisht që do të shkojmë të marrim vendet tona në këshillat bashkiakë. I kanë votuar qytetarët për të qenë në Këshillat Bashkiakë”, tha kreu i Partisë Republikane.
Duke folur për situatën e krijuar politike, Mediu tha se opozita ka bërë gabime ‘idiote dhe absurde’ në të kaluarën duke i dhënë mundësi Ramës.
“Opozita e ka shkatërruar veten dhe i ka dhënë mundësi Ramës. Ky vetshkatërrim ka filluar me reformën territoriale, duke krijuar një hartë tepër politike sesa e administrimit lokale. Më pas vijoi edhe kme reformën në drejtësi.
Për të vazhduar më tej me vendimin krejt idiot për daljen nga Parlamenti dhe për t’i dhënë mundësi Edi Ramës që ta plotësonte Parlamentin dhe të bënte ndryshimet kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor.
Braktisja e zgjedhjeve lokale ishte një tjetër akt skandaloz. Për të ardhur më pas në ndarjen në dy pjesë të Partisë Demokratike, e cila nuk diti të bashkohej në qëllime politike por në bazë emrin. Ne nuk kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri në mënyrë të padiskutueshme. Janë evidente shkeljet por opozita duhet të analizojë veten. Në shkatërruam opozitën dhe i dhamë mundësi Ramës të shkatërronte veten”, tha Mediu.