Gjatë ditës së sotme një burrë nga Mitrovica ka lajmëruar në Facebook vdekjen e të birit 15-vjeçar, por ka ndodhur ajo që askush nuk e priste, por të gjithë e dëshironin.
I biri nuk kishte ndërruar jetë, por ishte nën kujdesin e mjekëve në sallën e operacionit. Jeta e 15-vjeçarit A.B. nga Mitrovica shpëtoi por lajmërimi i të atit mori dhenë në rrjetet sociale.
Ai shkruante se i biri kishte rënë në pishinë dhe kishte ndërruar jetë, por u detyrua që brenda pak minutash të fshinte postimin.
Mjekët arritën ta shpëtojnë djalin i cili ndodhet në koma. Babai ka sqaruar, se u ngut me këtë lajm dhe se e ka shkruar për shkak të interesimit të madh të të afërmve në lidhje me shëndetin e 15-vjeçarit.
Faktin se djali është gjallë e kanë konfirmuar edhe zyrtarë në policinë rajonale të Mitrovicës. Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë në këtë rajon, tha se në bazë të informacioneve të fundit, gjendja shëndetësore e djalit është e qëndrueshme.
Mediat dje kanë raportuar se pushuesi (i mituri), pas zhytjes në pishinë, nuk ka mundur të dalë vetë më, por është nxjerrë nga të pranishmit në gjendje të rëndë.
Ai dyshohej se kishte pësuar gjakderdhje të brendshme. Pas nxjerrjes nga uji, i mituri u dërgua urgjentisht në QKUK për trajtim mjekësor.