14 maji shqiptar ka qenë përgjithësisht një ditë e qetë, por gjithsesi gjatë ditës ka pasur tensione e përplasje. Që kanë nisur me goditjen fizike të kryebashkiakut të Ersekës, e deri tek padia penale ndaj Flamur Nokës për incidentet në Elbasan. Gjithesi, duhet thënë, se duke ju referuar situatave që shpesh në vend ndodhin gjatë votimeve, përgjithësisht këto konsiderohen incidente të lehta.Më poshtë një përmbledhje e problematikave në ditën e zgjedhjeve.
Flamur Noka kallzohet penalisht për incidentet e shkaktuara gjatë zgjedhjeve
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja ka kallëzuar penalisht deputetin Flamur Noka.
Kallëzimi është bërë për shkak të aktivitetit të sotëm të Nokës dhe konkretisht bazuar mbi të dhënat e përplasjes së tij fizike në mjediset e qendrës së votimit 2474 në njësinë administrative Shirgjan.
Llatja në kallëzim akuzon Nokën se ka konsumuar element të veprës penale që prekin dhe cënojnë zgjedhjet e lira, duke kanosur dhe ushtruar dhunë verbale ndaj anëtarëve të komisionit të qendrës së votimit, me qëllim për ti penguar në ushtrimin e detyrës së tyre.
Flamur Noka përleshet fizikisht brenda qendërs së votimit me komisionerët
UK Welcomes 1st Babies Born Using DNA From 3 People
Keep Watching
Sekretari i Përgjithshëm i foltores Flamur Noka ka shkaktuar një incident në Shirgjan të Elbasanit.
Sipas procesverbalit të firmosur nga komisioni i votimit, Noka u paraqit pranë qendrës në dhomën e votimit në orën 16:46 duke shkaktuar presion dhe debat me tone të larta, të bërtitura dhe intimiduar anëtarët e komisionit dhe vëzhguesit.
Gjatë debatit, Noka është konfliktuar edhe fizikisht çka ka detyruar thërritjen e policisë.
Grisi fletët e votimit dhe i hodhi në kosh, arrestohet 44-vjeçari në Krujë
Një incident është regjistruar në një nga qendrat e votimit në Krujë.
Sipas njoftimit të policisë mësohet se shtetasi me iniciale B.T ka marrë dy fletë votimi nga Qendra e Votimit dhe ishte larguar.
Ad
Mësohet se fletët e marra ky shtetas i ka dëmtuar dhe më pas i ka hedhur në koshin e mbeturinave.
44-vjeçari banues në Tapizë është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”. Në drejtimin e Prokurorisë po vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Rreth orës 13:50, Komisioni i Qendrës së Votimit 1285/2, KZAZ Nr. 20, Krujë, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, pasi shtetasi B. T. kishte marrë 2 fletë votimi nga Qendra e Votimit dhe ishte larguar. Shërbimet e Policisë kanë organizuar menjëherë punën dhe si rezultat kanë kapur dhe shoqëruar në Komisariat, shtetasin B. T., i cili pasi ka marrë me vete 2 fletët e votimit (të veten dhe të nënës), ka dalë nga Qendra e Votimit, i ka dëmtuar fletët e votimit dhe i ka hedhur ato në koshin e mbeturinave.
Në përfundim të veprimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë, shtetasi B. T., 44 vjeç, banues në Tapizë, është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”. Policia ka sekuestruar 2 fletët e votimit që ky shtetas mori nga Qendra e Votimit.
Në drejtimin e Prokurorisë po vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Kandidati i PS në Dibër denoncon kandidatin e koalicionit Berisha-Meta: Hyri në qendrat e votimit, intimidoi zgjedhësit
Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Dibrës, Rahim Spahiu ka denoncuar rivalin e tij të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Ismail Uka se me eksponentë të tjerë ka shkuar në qendrat e votimit dhe ka intimiduar zgjedhësit.
Përmes një deklarate për mediat, Spahiu u shpreh se Uka ka thyer etikën dhe shkelur ligjin për zgjedhjet vendore.
“Ata kanë shëtitur në të gjitha ambientet e qendrave të votimit në qytetin e Peshkopisë, duke intimiduar zgjedhësit, duke thyer etikën dhe duke shkelur ligjin për zgjedhjet vendore.
Iu bëj thirrje këtyre personave që të ulen, të presin edhe këta orë që kanë ngelur në votime, dhe pastaj numërojmë së bashku votat dhe ta shohim se si është rezultati i tyre.
Bëhet fjalë për qendrat e votimit në qytetin e Peshkopisë, te shkolla ‘Profesionale”. Kemi edhe fotot që janë bërë në këto qendra. Indimidim edhe duke u folur zgjedhësve në kalim e sipër”, theksoi ai.
Fotografuan fletën e votimit, arrestohet 37-vjeçari në Sarandë, procedohet bashkëshortja
Një 37-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi fotografoi fletën e votimit.
Sipas njoftimit të Policisë mësohet se në pranga ka rënë shtetasi Lulëzim Tarllamishi si dhe është proceduar në gjendje të lirë bashkëshortja e tij.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Xarrë, Sarandë
Fotografuan fletët e votimit, arrestohet një 37-vjeçar, procedohet në gjendje të lirë bashkëshortja e tij.
Komisariati i Policisë Sarandë ka marrë njoftim nga shtetasi O. Sh., vëzhgues në Qendrën e Votimit nr.4731, Xarrë, se dy shtetas kishin fotografuar fletët e votimit dhe më pas kishin dalë jashtë Qendrës së Votimit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë menjëherë kanë njoftuar prokurorin e gatshëm, për këtë rast. Dy bashkëshortët dhe vëzhguesi janë paraqitur me vullnetin e tyre, në Prokurorinë e Sarandës.
Në vijim të veprimeve u arrestua shtetasi L. T., 37 vjeç, banues në Xarrë, Konsipol dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëshorten e tij, shtetasen E. T(C)., për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votës”.
Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, po vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Ervin Salianji shkakton përplasje në Kavajë, shan me fjalor rruge komisionerin e PS
Deputeti i dyshes Berisha-Metaj, Ervin Salianji ka shkaktuar një incident ditën e sotme në Kavajë, saktësisht në QV numër 2174.
Të pranishmit në qendrën e votimit bëjnë me dije se Salianji i shoqëruar nga persona të tjerë të cilët mbanin kapele për të mos u identifikuar ka sharë dhe ofenduar me fjalor rruge një komisioner të Partisë Socialiste.
Ata theksojnë se pasi ka agravuar situatën duke sharë nga familja komisionerin e PS, Salianji është larguar duke lënë një konflikt të hapur mes kampeve.
Policia dhe përfaqësues të KQZ ndodhen në vendngjarje për të stabilizuar situatën.
Kreu i Rithemelimit në Durrës së bashku me dy persona të tjerë dhunojnë fizikisht kandidatin e PS-së për këshillin bashkiak
Dy incidente janë shënuar në dy qendra të ndryshme votimi në Durrës.
Policia bën me dije se ka ndërhyrë pas denoncimit të disa komisionerëve për disa persona të paautorizuar që pengonin zhvillimin normal të procesit të votimit.
Më ndërhyrjen e policisë, procesi i votimit ka vijuar normalisht.
Ndërkohë, një tjetër incident është shënuar në Spitallë në korridorin e qendrës së votimit 1430-2, ku kandidati i Këshillit bashkiak të PS-së, Hekuran Markola është dhunuar fizikisht nga tre persona.
Policia është vënë në kërkim të tre personave të denoncuar si dhunues të Markolës, konkretisht Dritan Burgija, Pjeter Pjetri dhe Ndrec Pjetri
Kreu i Agimit të Artë, vëzhgues për partinë e Ilir Metës
Në zgjedhjet e Himarës, që në fillim duket se kanë mësyer kstremistët radikalë, me qëllimin për të shkaktuar incidente. Personi në foto është Alqi Thomanika, kreu i Agimit të Artë për Lukovën, i njohur për qëndrime dhe veprime ekstremiste.
Agimi i Artë sot është nxjerrë jashtë ligjit në Greqi, dhe krerët e tij janë burgosur, ndërkohë tek ne vijojnë veprimtarinë rudimentet e fanatikëve ekstremistë.
Përplasja me Spahon, qytetari në Maliq: Më tërhoqi zvarrë dhe më nxorri jashtë vetëm se po prisja rradhën për të votuar
Një prej qytetarëve në qendrën e votimit të Zvezdës ka pohuar se ka pasur përplasje fizike me deputetin e Rithemelimit Edmond Spaho.
Qytetari deklaron se është tërhequr zvarrë nga Spaho i cili e kishte pyetur përse rrinte në rradhë.
“Vjen Edmond Spaho na merr zvarrë dhe na nxjerr jashtë, mua dhe ca të tjerë. Na thoshte pse rrini këtu, ndërsa ne rrinim këtu në rradhë për të votuar.
Çfarë duan deputetët që vijnë këtu dhe na kërcënojnë. Më hoqi zvarrë. Unë quhem Mondi, na turpëroi edhe emrin”- u shpreh qytetari.
“Hyri me forcë”, Flamur Noka presion brenda qendrave të votimit
Një incident tjetër është regjistruar në një qendër votimi në Elbasan.
Gazetarja Edisona Skënderi raporton për ABC Neës se tek shkolla “Dhaskal Todri” është kërkuar ndihma e policisë për të ndërhyrë, pasi është futur brenda qendrës së votimit përfaqësuesi i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Flamur Noka duke bërë presion.
Sipas informacioneve mësohet se kanë qenë anëtarët e komisionit ato që kanë denoncuar dhe kërkuar ndihmën e policisë, pasi Noka akuzohet se ka ushtruar presion mbi to.
Kandidati i Berishës në Elbasan futet brenda qendrës së votimit, u bën presion votuesve e komisionarëve
Kandidati i koalicionit ‘Bashkë-Fitojnë’ në Elbasan, Luçiano Boçi është futur brenda qendrave të votimit.Nga raportimet që vijnë në terren, Boçi ka hyrë brenda mjediseve në QV2369, QV2347 dhe QV2370/1 i shoqëruar nga një grup personazh të pa autorizuar mes të cilëve edhe me precedent penal.
Sipas PS-së në këto qendra ai ka intimiduar drejtpërdrejt operatorët përgjegjës të pajisjeve të votimit elektronik, komisionerët ashtu sikurse zgjedhësit që kanë qenë duke pritur në radhë për të votuar.
Tensione në qendrën e votimit në Zvezdë, Edmond Spaho tërheq prej krahu votuesin
Deputeti i Rithemelimit, Edmond Spaho është konfliktuar person brenda qendrës së votimit në Zvezdë të Maliqit.
Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga Euroneës Albania, Spaho ka tërhequr me forcë për krahu një prej personave që ndodhej brenda qendrës së votimit.
Denoncimi është bërë nga Gëzim Topçiu, kandidati i PS-së për bashkinë e Maliqit.
Spaho nga ana tjetër ka pretenduar se nuk po lejohet të takohet me komisionerët dhe se është rrethuar nga një grup personash që njihen si “të fortët e zonës”.
Luçiano Boçi presion zgjedhësve në Bradashesh, KQV kërkon ndihmën e policisë
Kandidati i koalicionit Berisha-Meta për bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi ka ushtruar presion ndaj zgjedhësve në mjediset e qendrës së votimit Nr.2390/01 në Bradashesh.
Të gjendur në këto kushte të vështira për të punuar, Komisioni i Qendrës së Votimit ka kërkuar ndihmën e policisë së shtetit.
Kryetari i grupseksionit Nr. 6 të Berishës tenton të bllokojë votimin në shkollën ‘’At Zef Pëllumbi’’ në Tiranë
Kryetari i grupseksionit nr 6 të grupimit të Berishës, Nertil Hoxha ka tentuar që të bllokojë votimin në shkollën “At Zef Pëllumbi” në Tiranë.
Sikurse mund të shihni dhe nga kjo video, edhe pse gjithçka ka qenë në rregull në mënyrë të pashpjegueshme, njeriu i Berishës në këtë shkollë me forcë është munduar që të pengojë zgjedhësit të ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit lirisht.
Ai u ka bërë presion votuesve që të mos hyjnë në mjediset e shkollës.
Nertil Hoxha e pranon edhe vetë se është Kryetar i grupseksionit nr 6, të pjesës së PD-së që drejtohet nga Berisha.
Kanosi 4 persona brenda lokalit në Kuçovë, nis hetimi për kandidatin e koalicionit Berisha-Meta
Kandidati i koalicionit Berisha-Meta për bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi është vënë nën hetim nga policia, pasi ka kanosur dhe fyer 4 persona, punonjës të një firme ndërtimi të cilët ndodheshin në një lokal të qytetit.
Gjithashtu ka nisur hetimi për shoqëruesin e tij M.H, 48 vjeç.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së kallëzimit nga shtetasi Sh. Sh., se shtetasit L. M. dhe M. H. e kishin fyer me fjalë, i kanë shoqëruar në Komisariat, këta dy shtetas, si dhe kanë njoftuar prokurorin e gatshëm, në lidhje me këtë rast.
Në përfundim të veprimeve procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë kanë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit L. M., 51 vjeç, banues në Tiranë (kandidat për kryetar të bashkisë Kuçovë) dhe M. H., 48 vjeç, banues në Kuçovë (mbështetës i kandidatit).
Mbrëmjen e djeshme, në ambientet e një lokali në qytetin e Kuçovës, dyshohet se këta shtetas kanë fyer me fjalë dhe kanë shpifur për shtetasit Sh. Sh., 59 vjeç, A. Sh., 39 vjeç, A. K., 44 vjeç dhe A. K., 57 vjeç, të katërt punonjës të një firme ndërtimi.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Fyerja” dhe “Shpifja”, të kryera në bashkëpunim”,-thuhet në njoftimin e policisë.
Goditi me grusht në fytyrë kandidatin e PS, Erion Isai, arrestohet simpatizanti i koalicionit Berisha-Meta
Erion Isai, kryebashkiak i Ersekës dhe aktualisht kandidat i Partisë Socialiste në këtë bashki për një mandat të dytë, është dhunuar gjatë natës.
Policia ka arrestuar simpatizantin e koalicionit Berisha-Meta, Esmeraldo Kacolli, i cili goditi kandidatin socialist për këtë bashki.
Ndërsa procedohet në gjendje të lirë Xhemal Kalo, i cili akuzohet për pengim i qarkullimit të mjeteve. Kalo ka qenë me Kacollin kur kanë ndaluar makinën e Erion Isait dhe Kacolli e goditi me grusht në fytyre.
Ngjarja ka ndodhur teksa Erion Isai kthehej në shtëpinë e tij, me makinën zyrtare të Bashkisë Ersekë, kur i është bërë pritë nga simpatizantët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” të drejtuar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta.