Kryebashkiaku i Tiranës, njëherazi kandidat i PS për kryeqytetin dhe drejtues politik i PS për qarkun Tiranë, Erion Veliaj kërkoi votën e qytetarëve të Vorës për kryebashkiakun aktual, Blerim Shera. Në fjalën e tij, ai hodhi akuza të rënda ndaj liderëve të opozitës Sali Berisha dhe Ilir Meta, si dhe për të birin e ish-kryeministrit.
Veliaj u kujtoi qytetarëve vorakë se nuk duhet të votojnë më çiftin politik Berisha-Meta duke u kujtuar se ata shkaktuan tragjedia të mëdha si ajo e Gërdecit në 2008 dhe vrasjen e 4 qytetarëve të pafajshëm në 21 janar 2011 para Kryeministrisë.
“Kur këta thonë që te sheshi ‘Skënderbej’ do bëjmë një gropë të madhe, ju në Vorë e dini që këta e bëjnë vërtet gropë. Kush ka jetuar këtu e di shumë mirë gropën e Gërdecit. Këta e bëjnë gropë që ç’ke me të! Në qoftë se ka një premtim që PD, Saliu dhe Ilir Meta e mbajnë, është se këta e bëjnë gropë.
Dhe këta marrin jetë njerëzish kur e bëjnë gropë. Ne nuk e duam gropë e fatkeqësi. O e di Vora se ç’a të bën Saliu me Shkëlzenin, o nuk e di njeri. O e di Vora se çfarë të bën Fatmir Mediu me Ilir Metën, o nuk e di asnjë njeri tjetër,” deklaroi Veliaj.
Më pas, ai shprehu bindjen e plotë se socialistët do të fitojnë në të gjitha bashkitë e qarkut Tiranë. Veliaj ftoi dhe votuesit e opozitës që të hedhin votën për PS në 14 maj. “Ne do sigurohemi që të kemi një fitore 5-0 në qarkun e Tiranës.
Ne duam që edhe ata që kanë qenë deri dje me Saliun dhe me Shkëlzenin, të kuptojnë që nuk mund të votosh për dikë që të dhunon”, përfundoi fjalën e tij Erion Veliaj në Vorë.