Policia e komisariatit Tropojë së bashku me efektivët e FNSH ka zbuluar ditën e sotme trupat e pajetë të dy turisteve që ishin rrëzuar në një zonë të thepisur të Qafë Valbonës duke përfunduar në greminë.
Mësohet se pas kërkimeve efektivët kanë bërë të mundur që në vendin e quajtur “Qafë Valbonë”, të gjenin trupat e pajetë të dy turisteve, shtetases belge B. M. dhe shtetases franceze J. B.
Për shkak të terrenit të ashpër si edhe kushteve atmosferike as helikopteri nuk ka mundur të ulet në vendin ku janë gjetur të pajeta turistet.
Për të mundësuar nxjerrjen e trupave të pajetë, shërbimet e Policisë vendore dhe të asaj kufitare, si dhe skuadra alpine, po bashkëpunojnë me Emergjencat Civile dhe me Ministrinë e Mbrojtjes.
Grupi hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës ndodhet në vendngjarje dhe në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së dy turisteve.