Javët e fundit para se dorëzonte pushtetin në 2013, Sali Berisha nxitoi për të finalizuar një sërë koncesionesh klienteliste, me përfitues njerëzit e PD-së dhe klientët e Familjes së tij.
Pronat publike u ndanë si qoka me firmën e tij, të ish ministrit të Ekonomisë, Florjon Mima dhe ish ministrit të Financave, Ridvan Bode, ku në fokus ishte edhe privatizimi i hidrocentraleve.
Një prej përfituesve nga batërdia e Sali Berishës, Mimës dhe Bodes me pronat dhe fondet publike, ishte edhe Bedri Hoxha, kandidati që Berisha sot ua prezanton qytetarëve të Klosit si një alternativë të re, që do të sjellë zhvillimin e zonës.
Kontrata koncesionare me kompaninë e Bedri Hoxhës ‘V&A Energji Klos’ u nënshkuar më 9 shtator të vitit 2013, pra vetëm gjashtë ditë para se qeveria e re të votohej në parlament.
Objekt i tenderit ishte HEC-i i Shëngjunit, në përroin e Bejnit në qarkun e Dibrës, me kohëzgjatje 35 vjet.
Ishte një aset publik që u kthye në biznes privat. Tarifa koncesionare ishte vetëm 2 për qind e prodhimit vjetor të energjisë elektrike, të cilën koncesionari duhet t’ia paguante Autoritetit Kontraktues.
Në vendim u shënua se kjo tarifë do të ishte e pandryshueshme për 35 vjet.
Vendimi u firmos nga ish kryeministri Sali Berisha, i cili u shpërbleu deputetin Bedri Hoxha.
Për të shmangur konfliktin me ligjin pasi ishte deputet, Bedri Hoxha e kishte kamufluar kompaninë në emrin e disa të besuarve të tij.
Hoxha doli në skenë vetëm 5 vite më vonë, në vitin 2018, duke marrë aksionet e kompanisë që mori hidrocentralin nga Berisha, Bode dhe Mima 6 ditë para se të dorëzonin pushtetin.
Bedri Hoxha ka qenë kryetar i Bashkisë së Klosit nga tetori 2003 deri qershor të 2009, e më pas edhe deputet i Partisë Demokratike. Sot Hoxha është alternativa e çiftit Berisha-Meta për Klosin.