Finalja e “Big Brother VIP” është pak ditë larg, po për ta ndjekur nga afër duhet të rezervoni një biletë, aspak modeste.
Çmimet arrijnë deri në 1 mijë euro dhe këtë e konfirmoi edhe regjisori i BBV, Eduart Grishaj i cili i quajti fatlumë ata që do ta kenë këtë biletë pasi do të kenë mundësi të takojnë nga afër “VIPAT” finalistë.
As për këngëtarët më të mëdhenj botërorë të muzikës, (ata të Operas, jo e jo), bileta nuk kushton as sa gjysma e këtij çmimi.
Të blesh një paketë turistike nga Shqipëria, për të marrë pjesë në turnetë botërorë të emrave më të njohur të momentit, përfshirë udhëtimin dhe akomodimin, prapë nuk shkon deri në një mijë euro.
Por mesa duket, 150 fatlumë që i kanë dhënë Top Channel 150 mijë euro me këtë “privilegj”, tashmë i kanë rezervuar vendet e tyre në finalen e shumëpritur.
Për këtë ka reaguar edhe aktori e regjisori Hervin Çuli.
Reagimi i plotë:
Tmerr! Tmerr! Tmerr!!! “Migdal Bavel”, ekziston! Zanafilla: Albania- BBV! Bileta e BB (e deklaruan ne emision), kushton 1000 euro! Po, po, 1000 euro!!! Vdektë inshallah Roberto Alagna, gjeniu i operas sot, që as në Metropolitan se kapi këtë biletë! Vdekte Lev Dodin, regjisori letonez, më i madhi në botë, që i ofroi botës gjithë kulturën e mundshme skenike: edhe ai se kapi kurrë këtë çmim! Vdekshin “Metallica”, Bruce Springsteen, Kanye West, Paul Simon; vdekshin inshallah dhe Ariana Grande dhe Beyonce, idhujt e rinisë sotme, kurrë se kapin-BB Albania.
Vdekshim inshallah të gjithë me mua në krye!!! Arritëm ditën që as “Sfinksi” nuk arrin dot t’i mbrojë tempujt e vet. As “Orakulli i Delfit”, me gjithë Apolonin e soj e sorollop se vrau dot gjarprin Pyton! Tmerr:- as vetë Jezusi nuk e parashikoi dot se “puthja e Judës” ishte “puthja e Arbanës”!!!…
Leonardo da Vinci po lëviz në varr! Kam përshtypjen po të mbledhësh klikimet e Kiares dhe Efit kalon dhe çmimin aktual te “Gioconda”. Ndërkohë Ermonela Jaho u sfumua nën afshet e Maestros. As e rruajti njeri për kurset e saj kur erdhi Shqipëri. Ndonjë shkrim i mjerë tek-tuk, kaq!
Art- Kultura është nen putrën e madhe të pushtetit të “Dajës”. Ndërkohë, edhe ai vete paradoksalisht se kap dot çmimin 1000 euro nata! Por “Daja” është rehat! Kur ke sindromën e “Caligula”, të malanzhuar (përzierë) me talentin aktual tallavane, normal që të shijon! Ai është i lumtur! Unë po! Populli, po e po! Rëndësi ka fitorja! Iku, mbaroi! Kiara dhe Luizi: REOLUCION!
Ndofta ata një dite, si kanë ardhur kohët, e rrëzojnë “Dajën”, edhe pse e kanë aleat! Unë kam besim! Ndofta na fusin në një rrugë të re të historisë! Rroftë “Kulla e Babelit”. Chapeau, BB!…