Po pse atëherë SHBA i ka kërkuar Berishës që të tërheqë padinë?”, iu drejtua gjithë seriozitet e me një ndjenjë sfiduese, gazetarja e Euronwes Albania-s Kreshnik Spahiut, në një lidhje me këtë të fundit për të komentuar zhvillimet politike të fushatës (meqë ra fjala, më mirë Spahiu se Genc Burimi, i bërë me zor analist nga media, pa u kuptuar ende se për ç’aftësi të rralla).
Pyetja në fjalë e gazetares ishte dhe njëherë përcjellës i marrëzisë më të madhe në gazetarinë shqiptare, ndër shumë të tjera, e cila lidhet me figurën e Berishës.
Edhe pas 30 vitesh, ku tashmë çdo gjë është e qartë rreth kësaj figure, ajo që ka të bëjë më raportin mes tij dhe të vërtetës, pa pikëlidhje gjëkundi, gazetaria politike në Shqipëri i qaset po njësoj, pa filtra, pa pikëpyetje, pa hezitime, pa dyshime, duke ia gëlltitur çdo gjë që ai nxjerr nga goja, sado e marrëzishme dhe e pabesueshme të jetë, për ta ripërtypur dhe servirur me pas publikut pa asnjë respekt për inteligjencën e këtij të fundit dhe, për të ardhur keq, pa respekt dhe për vetëveten.
Mënyra se si gazetarët e politikës shqiptare vetëfyhen me Berishën, është në nivele mëshirimi.
Po, Berisha do deklaronte para disa netësh në Euronews Albania se SHBA i ka kërkuar që të tërheqë padinë e pretenduar në Paris, kundër Sekretarit Blinken. Është në stilin e tij ta banalizojë atë që është banale te ai, lloji se si e bën politikën, duke thënë parreshtur gjëra që sa vetë s’i beson në nivelet e një fantazie të shfrenuar të tipit “s’mund të jetë realisht kështu, por do doja të ishte kështu”. Ama kjo ende nuk është kapur nga gazetaria politike në Shqipëri, e cila raporton e nuk mendon.
Sigurisht, Erla s’mund ta pyeste dot ish-eprorin e saj se si i’a provon ai publikut se politika amerikane mund të jetë aq banale, aq provinciale, sa t’i kërkojë një “non grate” tërheqje padie, por së paku kolegia e Erlës ka të gjithë mundësinë të mos e besojë atë, aq më tepër që nuk e ka ditën e parë në gazetari, siç nuk ka ditën e parë që dëgjon Berishën. Do ishte ndryshe nëse do drejtonte pyetjen e llojit: “Ç’mendoni në çastin kur dëgjoni nga Berisha se SHBA i ka kërkuar heqje padie, siç ai ka deklaruar së fundi?”. Kështu do kishte respekt për veten dhe publikun.(Tesheshi.com)