Sot është ditëlindja e aktorit dhe regjisorit Alfred Trebicka të cilit i urojmë të festojë sa më shumë vite të tjera.
Alfred Trebicka (1966). Aktor, pedagog, regjisor. Lindi në Tiranë, më 3 maj.
Në vitin 1989 kreu studimet në Akademinë e Arteve për regjisurë, kurse më 1994 u diplomua pranë Kolegjit Europian të Filmit në Danimarkë. Është pedagog i “Mjeshtërsisë së aktorit” në Akademinë e Arteve.
Bie në sy si aktor i natyrës racionale, ka një zë të ngrohtë, punon me heshjet emocionale, operon rëndom me tone të qeta, shpreh vetësiguri; shpesh këto të fundit “thyhen” duke u pasur nga shpërthimet e befta. Shquhet për vizion dhe qartësi të konceptit regjisorial, sikundër edhe për mprehtësi në zotërimin e karakterit kontradiktor të personazhit.
Në vitiin 1996 luajti rolin e Beranzhesë te “Rinoqeronti” e E. Joneskos, duke bërë të dukshme luhatjen e njeriut mes dy skajeve ekzistenciale, vendosmërisë për t’iu shmangur fatalitetit si dhe frikës së pamundësisë për të qëndruar kundër rrymës deri në fund.
Ai kishte futur në trajtimin e personazhit elementë rëndomtësie për t’i dhënë një formë të perkore njerëzore arketipit të përtallur të heroit.
Nga rolet e mira të tij është edhe burri në dramën “Tri këngë dashurie” të Stefan Çapalikut, me të cilin paraqiti tri pamje të ndryshme të gjendjes shpirtërore, duke kulmuar me delirin vetëshkatërrues të finales, që vjen nga situatat e skajshme të pezmit dhe shterimit psikik.
I dha një fytyrësim e qasje origjinale personazhit të Limanit, shqiptar në SHBA, në dramën “Zbritja nga mali Morgan” (2004) e Artur Milerit, me të cilin fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” në Festivalin Ndërkombëtar “Skampa 1999” në Elbasan.
Sjellja e tij “edhe-edhe”, dyfytyrëshe, në një kërleshje midis arsyes dhe pasionit, midis qëndrimit të rrejshëm, që vinte prej konceptit të adulterit, moralit kristian dhe tjetërsimeve në shoqëritë e qytetërimeve “të pjekura”, nga njëra anë, dhe qëndrimit të njëmendtë, atij që rridhte nga kodet arkaike të një feje të importuar, nga ana tjetër, i dhanë aktrimit të tij aksesin e nevojshëm për të satirizuar raportet poligamiste në familje.