Në 14 mars të vitit 1998, Kuvendi i Shqipërisë shkarkoi me 80 vota pro Rustem Gjatën si anëtar dhe kryetar i Gjykatës Kushtetuese, pasi Komisioni i Verifikimit të Figurave, kryesuar në atë kohë nga Nazif Bezhani, kishte zbuluar se Gjata kishte qenë spiun i ish Sigurimit të Shtetit dhe agjent i UDB-së jugosllave.
Rustem Gjata është babai i Çlirim Gjatës, ish kandidat për deputet i PD dhe mbrojtës i zjarrtë i linjës së Sali Berishës. Në 4 shtator të vitit 1973, Rustem Gjata, ka dënuar me vdekje priftin shkodran Hil Gjergj Gjoni, pasi kishte sharë udhëheqësit e partisë, urrente regjimin, kryente rite fetare dhe donte Papën e Vatikanit. Rustem Gjata u shfaq në Kuvendin e parë pluralist në vitin 1992, si deputet i Partisë Demokratike, madje mjaft aktiv.
Në pesë maj 1992, Partia Demokratike e propozoi Rusten Gjatën si anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Më pas Rustem Gjata do të zgjidhej kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Procesverbali i seancës me dyert të mbyllura është deklasifikuar pas 25 vitesh.
Shqiptarja.com sjell sot detaje të tjera nga ajo seancë. Gjatë seancës së shkarkimit, vetëm deputeti demokrat Tritan Shehu bëri rezistencë dhe i pa me dyshime materialet për spiunazhin e Rustem Gjatës, në atë kohë kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Sipas Shehut, materiali ishte tendencioz pasi Gjata nuk mund të shpallej spiun i UDB-së pa u dënuar me vendim gjykate. Në këto kushte, Tritan Shehu thotë se edhe dosja si spiun i ish Sigurimit të Shtetit është e mjegullt.
Në këtë seancë është thirrur për t’ju përgjigjur pyetjeve të deputetëve kryetari i Komisionit të Verifikimit të Figurave, Nazif Bezhani. Gjatë fjalës së tij, Bezhani, i cili ka njohur Kuvendin me një pjesë të materialit, thotë se dosja e Rustem Gjatës si spiun i Sigurimit të Shtetit është shumë e rëndë, ndërsa dosja e tij si agjent i shërbimeve të huaja, konkretisht UDB-së, është shumë e madhe.
Bezhani tha se Gjata kishte spiunuar të gjithë figurat e Kosovës që vizitonin Shqipërinë. Një nga deputetët e ka pyetur Bezhanin nëse Sali Berisha ishte në dijeni të dosjes së Rustem Gjatës si spiun i ish Sigurimit të Shtetit dhe agjent i UDB-së, meqenëse Berisha e kishte supertuar, duke e bërë deputet të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Bezhani thotë se nuk i takon atij t’i përgjigjet kësaj pyetje, por shton se Berisha ka qenë President, se dosjet kanë qenë të hapura dhe se shumë prej dosjeve janë zhdukur. Ndërkaq, përfaqësuesi socialist Gramoz Ruçi ka ngritur dyshime të forta mbi kupolën e PD-së që zgjodhi Rustem Gjatën deputet të saj dhe më pas anëtar të Gjykatës Kushtetuese.