106 refugjatë janë ndaluar nga policia shqiptare nga data 22 maj deri në datën 2 qershor të këtij viti. Sipas këtyre të dhënave të nxjerra nga vetë policia e shtetit në vendin tonë hyjnë çdo ditë mesatarisht 10 refugjatë të huaj.
Numri më i madh i shtetasve të kapur brenda kufirit shqiptar i korespondon shtetasve sirianë. Janë regjistruar edhe raste të ndalimit të shtetasve nga Jemeni, Iraku, Algjeria, Libia dhe Pakistani.
Shumica e refugjatëve janë ndaluar në zonën e Shkodrës, duke tentuar që të kalonin kuforin drejt Malit të Zi me destinacion vendet e BE.
Nje pjesë e vogël e tyre, pasi ka hyrë në Shqipëri është paraqitur pranë zyrave të migracionit për të kërkuar azil. Policia bën të ditur se në të gjitha rastet personat e ndaluar janë dorëzuar në qendrën e azilkërkuesve dhe strehimit të refugjatëve në Babrru. Numri i lartë i të huajve që dërgohen aty çdo ditë duket se e ka vënë në vështirësi edhe këtë institucion.
Policia shqiptare njofton se ka vendosur masa shtesë kundër refugjatëve në kufi me Greqinë duke rritur numrin e efektivave dhe patrullimeve në zonën e Devollit.
Në të gjitha rastet e konstatuara, refugjatët kanë hyrë në vendin tonë në rrugë ilegale nga Kakavija dhe më pas kanë tentuar të kalojnë transit.
Kryeministri ,Edi Rama tha se në Shqipëri, gjatë muajve të parë të këtij viti, janë ndaluar rreth 2000 emigrantë, ndërsa në Malin e Zi ishin ndaluar 1200. Duke parë situatën autoritetet malazeze pritet të ndërtojnë një gardh në kufi me Shqipërinë