Prokurori i Krimeve të Rënda, Dritan Prençi, do të dalë në seancë dëgjimore përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Senca për Prençin është parashikuar për datën 5 qershor në orën 11:30 minuta.
Ky i fundit është një ndër prokurorët që po heton ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, por Prençi ka në dorë edhe dosje si ajo e Orest Sotës si dhe financierit të Habilajve, Nazer Seiti për ekstradimin e të cilit është në hetim disiplinor nga prokuroria e Durrësit, sëbashku me kolegun e tij Vladimir Mara.
Por çfarë ka në pronësi Dritan Prençi?
Sipas të dhënave të deklaruara deri në vitin 2015 të publikuara në Open Spending Data, Prençi ka deklaruar në vitin 2008 pronësinë e një apartamenti me sipërfaqe 78 m2 dhe vlerë thuajse 32 mijë euro, të blerë me kredi bankare për shlyerje në 10 vjet. Por në 2011-n, prokurori ka deklaruar një tjetër kredi bankare me afat shlyerje 8 vjet, nëpërmjet së cilës ka shlyer në total edhe kredinë e marrë për blerjen e apartamentit.
Në pronësi të tij ka edhe një makinë tip Volsëagen me vlerë 2000 euro. Burim të të ardhurave, prokurori deklaron pagën e tij dhe të bashkëshortes, të cilat do të kalojnë në sitën e trupës gjykuese të Vettingut të përbërë nga Genta Tafa (Bungo), Pamela Qirko, Suela Zhegu.
Përveç Ditan Prençit po në 5 Qershor në orën 10 të mëngjesit përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do të jetë edhe gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj, ndërsa një ditë më parë, në 4 qershor KPK do të zhvillojë seancën dëgjimore me prokuroren e Prokurorisë së Përgjithshme, Anila Leka.