Kandidati i pushtetit për Bashkinë e Shkodrës, Benet Beci, posedon një pasuri përrallore nga Shkodra deri në Voskopojë, bazuar, sipas tij, në paga, të tijën si drejtori më jetëgjatë i të gjithë pushteteve në krye të FSHZH-së dhe të bashkëshortes si mësuese.
Ish drejtori emblematik i Sali Berishës në krye të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i lakuar për afera dhjetëra milionë euro me rrugët jashtë standarteve, ka përfituar një shtëpi si i pastrehë nga Enti Kombëtar i Banesave, ashtu siç kanë përfituar edhe Ridavan Bode, Flamur Noka, Fatmir Mediu, etj.
Benet Beci, i cili në vitin 2013 flirtoi me Rilindjen duke u bërë drejtori i vetëm që i shpëtoi rotacionit politik, posedon edhe një shtëpi në Gjirin e Lalzit, oaz simbol i korrupsionit të tranzicionit shqiptar.
Vitet e fundit ka blerë dy apartamente rreth 400 mijë euro, njërin nga të cilët e ka kthyer në biznes, qendra e gjuhëve të huaja Tirana Training Center me NIPT L72206048M, që administrohet nga bashkëshortja dhe dy fëmijët.
I biri merr paga sa në një biznes, sa tek Autoriteti i Konkorrencës dhe vitet e fundit tek Banka e Shqipërisë, ku Beneti ka qenë më parë anëtar i Këshillit Mbikqyrës.
Ka indicie të forta se Benet Beci mund të ketë përdorur biznesin e tij, qendrën e gjuhëve të huaja, për të pastruar paratë e korrupsionit si drejtor i FSHZH dhe më pas si drejtor i KESH-it.
Së pari, nuk dihet burimi i investimit për transformimin e brendshëm të apartamentit 244 m2 në biznes. Së dyti, TTC ka gjeneruar fitime të konsiderueshme që vitet e para, para të cilat janë përdorur më pas për shumfishimin e pasurisë.
Shkodra është edhe një herë pa alternativë, sepse i duhet të zgjedhë mes Benet Becit, një ish drejtori simbol korrupsioni të Sali Berishës dhe Bardh Spahisë, një kandidat pa vizion, pa program dhe përfaqësues i Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Pasuria e deklaruar e Benet Becit
1. Shtëpi 2 plus 1 në Gjirin e Lalzit, deklaruar 47 mijë euro
2. Apartament 244 m2 me vlerë 170 mijë euro
3. Apartament në Tiranë me vlerë 200 mijë euro
4. Garazhe 192 m2 në Tiranë për 7 mijë euro
5. Shtëpi 80 m2, përfituar si i pastrehë nga Enti Kombëtar i Banesave.
6. Shtëpi 2 plus 1 fituar nga privatizimi
7. Shtëpi 3 plus 1, blerë në 2005 për 35 milionë lekë
8. Tokë 3 mijë m2 në Prush të Tiranës
9. Biznesi qendra e gjuhëve të huaja Tirana Training Center, që e administrojnë fëmijët me gruan
10. Tokë 3 mijë m2 në Voskopojë
11. Makina luksoze