Shpesh herë, kur krizat e kokës e lënë të qetë… Mira qëndron për disa momente jashtë shtëpisë. Sheh në zbrazëti, pasi zemra e saj është e mbushur me angështi të madhe. Vetë është e sëmurë, i shoqi nuk është më, ndërsa fëmijët e saj, janë ende të vegjël dhe po rriten në kushte skamnore.
Sot kjo nënë nuk përballet vetëm me pasojat që i la sëmundja e tumorit në kokë, por me frikën se nëse nesër i mbyll sytë… fëmijët e saj do të mbeten në mes të 4 rrugëve.
Në një rrëfim për “Shqiptarët për Shqiptarët”, Mira Rripa nga Shkodra, tregon momentin kur mësoi se i shoqi ishte aksidentuar nga një makinë.
Mira: Keq ka qenë shumë. Kur shkova atje në spitalin e traumës, ai ishte në koma. 10 ditë ndejti gjallë. Bëra besë se nëse ai vdiste, nuk do kthehesha dot më gjallë në Shkodër…se nuk dija nga ku do t’ja filloja. Ai ishte i zoti i shtëpisë, krahu i punës, ai ishte çdo gjë për ne. Po ta kishim këtu, ne nuk do të ishim në këtë ditë.
Por vdekja e të shoqit, nuk ishte sprova e vetme. 6 muaj pas tragjedisë, Mira vetë u diagnostifikua me kancer në tru. Mes lotëve, ajo kujton kohën kur u shtrua në spital dhe iu nënshtrua një ndërhyrje në kokë për të larguar të keqen e sëmundjes.
Mira: 6 muaj pasi vdiq im shoq, isha duke qëndruar e pata një goditje… u paralizova. Dy rrugë kisha, o do të vdisja o do të operohesha… kujtoj kur vinin fëmija në spital, fusnin kokën e shihnin nëse isha unë gjallë (qan).
Pas ndërhyrjes në kokë e 15 qepjeve, Mira u rikthye në Shkodër… por sëmundja, la pas pasoja serioze. Mira ka kriza të forta e shpesh herë përfundon në spital. Ajo nuk është në gjendje të punojë dot më dhe i pikon shpirti, kur përballet me realitetin… se s’mundet dot, të kujdeset e të mbajë fëmijët e saj.
Familja Rripa jetonte me qira e me ardhjen e sprovave të rënda, Mira së bashku me fëmijët janë detyruar të strehohen tek gjyshërit, të cilët po ashtu jetojnë me qira. Dhimbja më e madhe e kësaj nëne, është frika se një ditë ajo mund të mbyllë sytë, e të lërë fëmijët të vetëm, pa një kulm mbi kokat e tyre.
Mira: Më shohin të sëmurë fëmijët. Unë nuk jam e zonja për punë, shumë shpesh përfundoj në spital prej dhimbjeve në kokë, kam 15 qepje në krye… mua nuk më intereson jeta ime hiç… vetëm them o Zot, më lër dhe pak sa të rriten fëmijët, të rehatohen ata. Për mua është shumë e vështirë. Nuk kam shtëpi, nuk kam punë e as para. Të vret ndërgjegja aq shumë, jeta është bërë shumë e lodhshme.
Nuk e di si mundema ke ken gjallë deri tash, me ato që kemi kaluar. Unë nesër dua vetëm t’u lë një dhomë, ku të fusin kryet këta fëmijë. Të kenë një çelës të vetin, sido që të vijë puna.