Nga Viktor Malaj
“Teknologjia nuk përmban kurrfarë morali. Ajo shton mënyrat tona të të menduarit dhe bërjes së gjërave, por njerëzit e këqij e përdorin teknologjinë për qëllime të këqija, ndërsa njerëzit e mirë e përdorin atë për qëllime të mira”. Herbert Simon
Zhvillimet e shkencës dhe të teknologjisë kanë qenë dhe janë arritje shumë të mëdha të shoqërisë njerëzore, të cilat kanë ndikuar jashtëzakonisht shumë në rritjen e nivelit ekonomik, ashtu edhe kulturor të njerëzimit.
Mirëpo, duke qenë shpikje dhe krijesë e njeriut, teknologjia mund të luaj role të ndryshme në varësi të synimeve të krijuesit dhe përdoruesve të saj. Pak a shumë, kjo mund të krahasohet me zhvillimin e armëve dhe me përdorimin e tyre si mjete mbrojtëse kundër krimit e kriminelëve apo si mjete sulmi për të kryer krime individuale apo masive.
Zhvillimi i shkencave kompjuterike ka sjellë një revolucion të vërtetë në fushat e informacionit, komunikimit etj. Inteligjenca artificiale apo bota shifrore, siç e ndeshim të emërtohet, ka ndryshuar edhe konceptimin e filozofisë tradicionale e cila njeh dy botë, materialen dhe shpirtëroren. Tani pranohet gjerësisht se kemi edhe një “botë të tretë”, botën e shenjave që na shfaqen në ekranin e kompjuterit.
Lakmia për fitim e zotëruesve dhe drejtuesve të kompanive të krijimit, prodhimit dhe tregtimit të mjeteve dhe shërbimeve kompjuterike duket sikur këtë hop të madh të njerëzimit po e shmang gradualisht nga qëllimi i mirë. Këtë tendencë e shkakton lakmia për shndërrimin e programeve dhe shërbimeve kompjuterike nga skllevër në shërbim të njerëzve, në zëvendësues, zotërues dhe manipulues të njerëzimit.
Lufta për të shkurtuar sa më shumë fuqinë punëtore, për të rritur fitimet financiare, po bën që mjaft kompani gjigante në botë të zëvendësojnë një pjesë të vendeve të punës me robotë dhe me “punonjës dixhitalë” të cilët iu përgjigjen klientëve në vend të përfaqësuesit të kompanisë që ofron shërbimet.
Në dy dhjetëvjeçarët e fundit i është kushtuar rëndësi e madhe zhvillimit të të ashtuquajturës Inteligjenca Artificiale (AI) e cila përbëhet nga një tërësi teknologjish që iu mundëson kompjuterëve të imitojnë inteligjencën njerëzore dhe të kryejnë disa funksione, duke përfshirë aftësinë për të parë, kuptuar e përkthyer gjuhën e folur e të shkruar, të japin këshilla etj.
Në vitin 2015 disa nga drejtuesit e korporatave kryesore kompjuterike njoftuan krijimin e një korporate të Inteligjencës Artificiale në SHBA, të quajtur Open AI, sipas tyre një ndërmarrje jofitimprurëse, me qëllimin “për të zhvilluar një Inteligjencë Artificiale miqësore”. Ata bënë një investim fillestar prej një miliard dollarësh, por kur e panë se kjo do të sillte fitime të mëdha nga kërkesat e shumta për përdorim, në vitin 2019 e kthyen në ndërmarrje fitimprurëse.
Më vonë u krijuan të quajturat Chatbot-e që janë programe kompjuterike që realizojnë biseda me përdoruesit, imitojnë mënyrat e sjelljes së qenieve njerëzore dhe iu përgjigjen pyetjeve të bëra.
Sa më shumë që zhvillohen këto programe kompjuterike aq më të varur dhe të ndikuar prej tyre bëhen një pjesë e njerëzimit. Ne tashmë kemi parë se sa të varur janë bërë njerëzit, sidomos brezi i ri, nga telefonat celularë. Varësia e tyre ka arritur deri në atë pikë sa kanë filluar të harrojnë çfarë janë dhe se iu përkasin bashkësive të familjes dhe shoqërisë në tërësi.
Edhe njëri nga krijuesit, dhe drejtori i parë i Open AI, Sëm Altmën (Sam Altman) i cili krijoi Chat GPT pohoi se ishte “pak i frikësuar” nga krijimi i tij, nëse ai produkt do të përdorej për dezinformim në shkallë të gjerë ose për sulme kibernetike. Njëri nga gjenitë e shkencës, fizikani i madh Albert Ajnshtajn thoshte: “Druaj se do të vijë dita që teknologjia do ta lërë pas ndërveprimin njerëzor. Atëherë bota do të ketë brezin e idiotëve”.
Sipas shtypit botëror, një burrë rreth të tridhjetave nga Belgjika vrau veten para pak kohësh i ndikuar nga bisedimet në kompjuter me njërin prej Chatbot-eve të quajtur “Eliza”. “Eliza” është një program kompjuterik i përpunimit të gjuhës natyrale që iu krijon përdoruesve iluzionin se i kupton.
E shpikur para rreth 60 vitesh nga shkencëtari gjermano-amerikan i kompjuterave Jozef Uajzenbaum (Joseph Weizenbaum), ky program ka tërhequr shumë njerëz, disa prej të cilëve janë bërë të varur prej tij. Madje, edhe krijuesi i tij u befasua kur vuri re se njerëzit, përfshirë edhe sekretaren e tij, i atribuonin programit kompjuterik ndjenja njerëzore.
Belgu që ra viktimë e tij, sipas bashkëshortes së vet, ishte plotësisht i varur nga ai program, e përdorte atë dendur dhe i besonte shumë. Kur një ditë programi “Eliza” e pyeti nëse e donte programin më shumë se gruan e vet, viktima iu përgjigj dhe i kërkoi mendim programit rreth vetëvrasjes.
Programi iu përgjigj se nëse kjo ndodhte, ata të dy (programi dhe viktima) do të shkonin në Parajsë. Belgu shkoi, ndërsa programi është midis nesh, në pritje për të dhënë këshilla të ngjashme.
Të shqetësuar rreth mundësisë së ndikimeve fatale të AI-së tek përdoruesit, miliarderi Elon Musk dhe rreth një mijë specialistë dhe biznesmenë të kësaj fushe propozuan para pak ditësh pezullimin e kësaj veprimtarie dixhitale për të paktën gjashtë muaj, derisa të përcaktoheshin norma dhe kritere për parandalimin e rreziqeve në fjalë. Në peticionin e bërë publik ata shpreheshin nëpërmjet pyetjeve të tilla: “A duhet t’i lëmë makinat të vërshojnë kanalet tona të informacionit me propagandë dhe gënjeshtra?… A duhet të rrezikojmë të humbasim kontrollin e qytetërimit tonë?”.
Ndërsa ndodhej i shtruar në spital, Papës Françesku iu postua një fotografi virale e sajuar nga programi Midxhërni (Midjourney), i cili, duke përdorur inteligjencën artificiale, iu mundëson përdoruesve krijimin e imazheve fotografike thuajse reale. Fotografia e rreme e paraqiste Papën në gjendje shumë të mirë shëndetësore, të veshur me një pallto të fryrë dhe në takime me personalitete të ndryshme. Mijëra njerëz e morën për të vërtetë fotografinë dhe i dërguan përgëzime Papës.
Studimet në botën perëndimore kanë arritur në përfundimin se qëndrimet e shpeshta dhe të gjata para kompjuterit, sidomos e rinisë, përveç “shëndoshjes” (obezitetit), rrallimit të kontakteve dhe marrëdhënieve me pjesëtarët e familjes dhe bashkësisë ku jetojnë, po bëhen shkak për shumë vetëvrasje. Çështja është se askush nuk po mundet të gjejë zgjidhjen e këtij problemi të krijuar nga Inteligjenta Artificiale (AI).
Nuk është gjë e panjohur po të pohojmë se rrjetet sociale dhe, përgjithësisht, sistemet kompjuterike përmbajnë shumë gënjeshtra, trillime, fyerje, shpifje dhe keqinterpretime të cilat ndikojnë negativisht në formimin dhe personalitetin e njeriut dhe, veçanërisht, të të rinjve.
Problemi bëhet edhe më shqetësues me funksionimin dhe përdorimin e AI, pasi përdoruesit, për shkaqe dhe qëllime të ndryshme, iu besojnë dhe iu drejtohen për ndihmë programeve robotike, të cilat përgjigjen thjesht mbi bazën e informacioneve që zotërojnë dhe janë plotësisht të privuar nga aftësitë arsyetuese e gjykuese që janë mundësi vetëm të qenieve njerëzore.
Italia e ndaloi kohët e fundit shërbimin e Open AI nga frika e ndikimeve negative për shëndetin mendor të përdoruesve. Edhe shkencëtarja shqiptare, Mira Murati, e cila drejton proceset teknologjike të Open AI shprehu kohët e fundit pasigurinë dhe frikën e ndikimeve negative të kësaj teknologjie tek përdoruesit e saj.
Nëse kjo teknologji do të funksionojë kështu siç është, nuk do kemi të drejtë të çuditemi që, përveç eliminimit të miliona vendeve të punës në botë, njerëzit të priren drejt shmangies së shkollës, sistemit të drejtësisë, mjekësisë etj.etj. duke besuar se do të gjejnë përgjigje të sakta tek kjo teknologji. Kështu, mundet që një burrë, gruaja e të cilit vonohet nga kthimi në shtëpi pas punës ose bërjes së pazarit, të pyes programin kompjuterik, nëse e shoqja ishte duke e tradhtuar me dikë tjetër dhe, pas përgjigjes së verbër dhe të rreme të “bashkëbiseduesit”, të vendosë ta ndajë apo, akoma më keq, ta vrasë gruan e tij. Sigurisht, kjo vlen edhe për gjininë femërore.
Një adoleshent i cili, për shkak të sjelljeve dhe mosbindjes që shfaq, mund të ketë pakënaqësi dhe dyshime për prindërit, mësuesit apo shokët, mund të ndodh të pyes kompjuterin nëse ata e urrejnë dhe, pas përgjigjes pohuese, të reagojë dhunshëm ndaj tyre. Jo pak njerëz që shfaqin probleme shëndetësore, në vend që t’i drejtohen mjekut për vizita dhe këshilla, duke e gjetur më të lehtë, më të shpejtë, më “të besueshëm” dhe falas, do të pyesin programin kompjuterik se nga çfarë vuajnë dhe si të shërohen.
Më pas, duke ndjekur këshillat aspak profesionale, as të arsyeshme të programit, mund të përfundojnë në vetëvrasje nga depresioni që mund të shkaktojnë përgjigjet virtuale.
Nxënësit e shkollave dhe studentët ka shumë gjasa të nisin ta konsiderojnë të mësuarit të panevojshëm pasi do të bindin veten se programet e Inteligjencës Artificiale do iu japin përgjigje për gjithçka iu nevojitet, sidomos tani kur shumë provime universitare dhe pasuniversitare jepen onlajn (online). Njerëzit që kanë probleme me drejtësinë mund të ndodh t’ia paraqesin problemet kompjuterit dhe ta pyesin atë mbi mundësitë e fitimit të çështjes në gjyq dhe, nëse binden nga përgjigjet kompjuterike, do të shmangin pajtimin e avokatëve si profesionistë të fushës përkatëse.
Jo pak njerëz mund të ndodh që të pyesin kompjuterin rreth mundësive të bëhen të suksesshëm që qoftë se nisin një biznes të caktuar dhe, pas marrjes së përgjigjeve të “vlerësuesit virtual të tregut”, t’iu futen aventurave të destinuara për dështim.
Të tjera mundësi për pasoja të këqija mund të hamendësohen sot. Ndërkohë shenjat po na tregojnë se nesër ato do të konkretizohen në plagë të rënda për shoqërinë njerëzore.
Zhvillimi i një teknologjie të tillë që pretendon të zëvendësojë dijen dhe, sidomos, arsyetimin njerëzor dhe, veçanërisht, keqpërdorimi i saj nga njerëz me intelekt dhe nivele kulturore të ndryshëm apo me karaktere të deformuar, ka shumë të ngjarë të shumëfishojë intrigat dhe dëmee e pandreqshme për individë, familje dhe biznese.
Kjo teknologji ka arritur nivele të tilla dhe, në të ardhmen mund të shkojë më tutje, që t’iu japë mundësi kompanive të ndryshme të bindin rrejshëm blerësit, jo vetëm për aftësitë “çudibërëse” të mallrave e shërbimeve të tyre, por edhe të diskreditojnë padrejtësisht cilësitë e mallrave dhe shërbimeve të konkurrentëve në treg.
Nëse sot kjo teknologji ka krijuar mundësinë e krijimit të fotografive të rrejshme (fake) që mund ta paraqesin individin në vende ku s’ka qenë kurrë apo në shoqërinë e njerëzve që s’i ka takuar asnjëherë, nesër mund të krijojë mundësi për paraqitjet e sofistikuara fizike të individëve duke kryer krime që s’i kanë bërë kurrë apo duke hyrë në marrëdhënie intime me persona që as i njohin dhe as i kanë parë ndonjëherë.
Këto sajesa monstruoze kompjuterike do të mund të përdoren me lehtësi për luftë të pandershme politike apo të tregut, ashtu siç mund të përdoren për intriga dhe hakmarrje individuale apo midis familjeve të ndryshme.
Në kushtet që janë krijuar dhe po krijohen me shpejtësi, cilido që iu beson më shumë trillimeve virtuale sesa jetës reale, kushdo që iu beson më shumë sistemeve kompjuterike e robotike sesa dijes, arsyes dhe ndërgjegjes njerëzore, mund të përdor dhe pyes “Elizën” dhe Elizat e tjera që i shërbejnë fitimprurjeve materiale në kurriz të bjerrjeve morale.
Pas pasojave viktima nuk do ketë kohë të çuditet apo të fajësojë të tjerët pse përfundoi në krim, vetëvrasje apo spitale psikiatrike.
*Herbert Alexander Simon – Shkencëtar amerikan i shek. 20-të, fitues i Çmimit Nobel në Shkencat Ekonomike në vitin 1978.