Aktori, pedagogu Timo Flloko lindi në Pejë, Kosovë, më 26 prill 1948. Kreu studimet e larta për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1970, ku spikati për talentin e tij. Fill më pas u emërua pedagog i mjeshtërisë së aktorit në degën e dramës deri në vitin 1996, kur emigroi për një kohë në Amerikë. U rikthye në Shqipëri në vitin 2002. Aktualisht është pedagog dhe aktor i lire, i angazhuar në projekte të ndryshme në skenë dhe ekran.
Karriera e tij nisi me filmin Ngadhënjim mbi vdekjen, 1967, në rolin e Fatosit, ku u dallua për sensin realist, thjeshtësinë dhe dhuntitë psikofizike me prirje drejt tipit të heroit. Në vitin 1971 luajti rolin e Çimit në dramën “Një shok i klasës sonë” (1972) e Kujtim Spahivoglit, ku ra në sy prirja për një lojë që orientohej kah zhbirilimi psikik, tonet e buta, një sjellje sa më e natyrshme, pa zhurma, jo rrallë me përdorimin efikas të heshtjes emocionale.
Orfeu në dramën “Orfeu zbret në ferr” (1972) e Tenesi Uilliamsit ishte një vështrim poetiko-psikologjik, ku alegoria dhe simbolet e ardhura nga teksti, si dhe koncepti regjisorial i Mihal Luarasit u shprehën nga një interpretim i ngrohtë dhe inteligjent. Në vitin 2002 mishëroi figurën poetiko-filozofike të Prometeut në dramën “Stinë e mërzitshme në Olimp” të Ismail Kadaresë.
Përmes një loje të bukur, të hijshme e me theksa dramatike, ai dha vuajtjen e heroit mitik të qëndresës e të rebelimit ndaj pushtetit abuziv, sikundër edhe vuajtjen nga harresa, snobizmi, mosmirënjohja dhe keqadministrimi i ligjeve hyjnore, i dijes dhe i energjisë prej lakmisë dhe mendjengushtësisë së njerëzve.
Me rolin e B-së në diadramën “Për një fjalë goje” të Natali Sarrot (2006), rishtazi konfirmoi talentin e tij, kësaj here me pranë lojës psikologjike, me denduri nëntekstesh, dyzimesh e planesh të dyta, duke përcjellë te publiku një shpirt të brishtë njerëzor, të ngërthyer nga keqkuptimet, mungesa e komunikimit, komplekset. Edi Karbone në dramën e Artur Milerit “Pamje nga ura”, 2007, shënon një pike kulmore të aktrimit te tij.
Ai thuajse e ndryshoi formatin e vet aktorial të parapëlqyer, duke ngulmuar më fort në një lojë pasionale, me përvuajtje të thuketa, klithma, vrullime dhe energji të ndrydhura psikike, që çlirohen në formë shpërthimesh të befta, për të bërë më të rrokshme kësisoj shpeshtjellimin e personazhit, skrupujt e tij morale, fatalitetin, zgripin ekzistencial të qenies prej dokeri dhe emigranti, si dhe mungesën e vetëpërmbajtjes.
T. Flloko u bë i njohur dhe i dashur për spektatorin veçanërisht në kinematografi, ku u dallua për thjeshtësinë, sinqeritetin dhe natyrshmërinë e interpretimit, për hirin e tij, për pamjen dhe sjelljen prej heroi e njeriu të virtytshëm, që vendoset në situata dramatike dhe i kapërcen pa “bujë” ato.
Spikati me rolin e Meços në filmin “Kur zbardhi një ditë”, 1972, me të cilin paraqiti bariun patriot, trim e zemërbardhë vetjakësia e të cilit shpërfaqej nga aktori sajë nuancimeve, poetike e dramatike, si dhe një veprimi fizik energjjk një karakter njerëzor që të joshte, i thjeshtë e pa zhurmë që veteflijohet me bindje për jetën e shokut të plagosur duke realizuar artistikisht një vdekje sa tragjike po aq mallëngjyese e të madhërishme.
Në po këtë prerje, veçse me kompleks si karakter dhe me një botë shpirtërore të trazuar e të përnxitur nga hakëmarrja, luajti rolin e Mato Grudës në filmin “Njeriu me top”,1977. Vështrimi i tij përcjell delirësi, ashtu sikundër humbullon nga flukset psikike dhe pështjellimet e brendshme. Përgjithësisht, T. Flloko ka krijuar një portret të endshëm aktorial, prej njeriu fisnik nga buron besim, dashuri, mirësi e simpati.
I tillë qe edhe në rolin e mesuesit në filmin “Lulekuqe mbi mure”, 1976, me të cilin u nderua me Medaljon. Tonet psikologjike e dramatike që përshkojnë interpretimin e tij, posaçërisht recitimi i vargjeve të poezisë Maratonomaku të F. S. Nolit, krijonin në film një tension të fortë psikik. T. Flloko është i vërtetë në përjetimin e figurës, në sjellje, në gjeste, në veprime e në interpretimin e fjalës.
Karakteret e tij në kinematografi janë të ndryshme: luftëtarë të lirisë dhe tipat e lidhur fort me luftën çlirimtare, jetën dhe njerëzit, si: Kanani te “Shtigje të luftës”, 1975; komandanti te “Malet me blerim mbuluar”, 1970, tek i cili bie në sy zhdërvjelltësia fizike e veprimit dhe ndjenja e drejtpërdrejtë; Visari te “Militanti”, nderuar me Kupën e Festivalit, 1984, tek i cili frymon madhështia në thjeshtësi, tragjikja te poetikja dhe e jashtëzakonshmja tek e zakonshmja etj.
Por ai ka luajtur me ndjeshmëri dhe sens të fortë realist, gjithashtu, edhe figura që shëmbëllehen prej kategorisë së njerëzve të rëndomtë, si Çeçemi te “Nata e parë e lirisë”, nderuar me Kupën e Festivalit, 1984; ose drejtues të lartë të pushtetit, si kryetari te filmi “Rrethimi i vogël”, nderuar me kupën e Festivalit VII, 1986, ku humania, e përkora dhe e besueshmja fitojnë përparësi dhe shndërrohen në premisë të vërtetësisë së lojës së tij. Gjithashtu, ai ka interpretuar personazhe të njohur historike, si Çerçiz Topulli te filmi “Liri a vdekje”, 1979, ku vepron po e njëjta metodologji aktrimi, ajo e harmonisë midis sublimes dhe të përkores.
Tipologjia e krijimeve të tij pasurohet më tutje me personazhe epike e tragjike, të fortë e qëndrestare, që vijnë nga historia dhe baladat, si Gurgejm Dreni te filmi “Balada e Kurbinit”, 1990, nderuar me çmim, falë të cilit ai i dha sharmë aktorial arketipit mitologjik shqiptar si sintezë poetike etnopsikologjike, sikundër edhe një trajtë të hijshme nga pikëpamja e imazhit filmik peripecive tragjike, ripërtëritjes dhe sfidës së mbijetesës.
Në vitin 1991, fill pas ndryshimeve politike rrënjësore në Shqipëri, luajti me një ndjesi të dukshme dramatike, me vertetësi dhe emocion rolin e Agronit në filmin “Vdekja e kalit” – një ushtarak i pafajshëm, i ndëshkuar padrejtësisht nga diktatura, porse pa ndjenjën e hakmarrjes e të revanshit; filmi u nderua me Kupën e Festivalit X, si dhe me Çmimin e Parë të Euro-Festivalit të Saint Etienit, 1997, në Francë përkushtuar në Akademinë e Arteve, me kontribut të shtrirë përgjatë shumë viteve. Mban titullin Artist i merituar.