Leka Sefla ka kryer studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve, sot Universiteti i Arteve në degën e dramës. Në biografinë e tij renditen rolet e protagonistit në filmat artistikë “Ilegalët” në rolin e Xhevatit dhe “Skëterrë 43” në rolin e De Magistris.
Por janë shumë role të tjera në teatër dhe film, në radiodramatizime, fjala artistike në Radio”, ku ai kultivoi me pasion dhe këmbëngulje dëshirën e tij që fëmijë për t’u bërë aktor. Për aktorin, jeta skenike mbeti pas, në tempullin e shenjtë ku interpretoi me një plejadë artistësh të shkëlqyer të para viteve ’90.
Nostalgjik mes kujtimesh, Sefla u përball me një jetë të re në një shtet të huaj, një vend krejt i panjohur edhe sa i takon gjuhës. Me gjithë dhimbjen për artin, që nuk mundi të bënte dot ashtu siç do të dëshironte edhe në Gjermani, Leka thotë se sakrifica për familjen ia ka vlejtur dhe se ndihet krenar për gjithçka. Në një intervistë për Radio Ejani Sefla tregon për rrugëtimin e tij artistik si dhe emigrimin e tij 31 vjeçar në Gjermani.
CMG: Ju keni luajtur në teatër dhe kinematografi me disa role të spikatura. Si i kujtoni ato vite kur ishtit pjesë e kinemasë shqiptare?
Leka Sefla: Sigurisht që kanë kaluar shumë vite.Edhe vetë kur rri e mendoj që kanë kaluar gati 31 vite mbetet e pabesueshme sepse është jashtëzakonisht një kohë e gjatë jashtë Shqipërisë. Padyshim që ato vite i kujtoj me nostalgji sepse ishte fillimi i një ëndrre dhe mundësia që mu dha në atë kohë që të spikas nëpër filma dhe në teatër. Kam qenë shumë i dhënë pas Radio Tiranës ku kam bërë shumë emisione, që nga “Fjala artistike” apo “Teatri në mikrofon”. Atë periudhë e kujtoj me nostalgji sepse kam qenë 22 vjç, por është bërë një kohë e gjatë dhe jeta ka pasur probleme të tjera.
CMG: E keni akoma pasion radion ?
Leka Sefla: E kam shumë pasion radion dhe kjo më bën që këto 5-6 vitet e fundit të krijoja një faqen time, që mos të shkëputem nga ajo që kam bërë dikur me aq pasion. Kështu që fillova me mundësitë e mia me celular, sepse këtu mungojnë studiot, por vërtetë ndjej kënaqësi tani kur i shikoj mbas një kohe të gjatë. Janë gati 212 poezi dhe monologje nga autorë të ndryshëm ndaj nuk u shkëputa, por arrita të vazhdoj atë që kam nisur dikur.
Nuk është aq e thjeshtë kur je jashtë vendit, aq më shumë kur nuk je vetëm sepse unë këtu erdha me familjen. Kuptohet që arti bëhet nëpër qytete të mëdha kudo, por unë jetoj në një qytet të vogël dhe u mblodha me problemet familjare, me prindërit ku më është dashur të harxhoj shumë kohë për ta dhe kam bërë mirë e mbetem krenar.
Unë u mundova, me aq sa kisha mundësi në këtë qytet të vogël, por të luash në gjermanisht nuk është aq e thejshtë sepse gjuha gjermane është shumë e vështirë.
CMG: Cila ka qenë arsyeja që u larguat nga Shqipëria?
Leka Sefla: Arsyeja ishte gjendja që u krijua në ato vite, por që edhe për të provuar një mundësi tjetër jashtë. Unë pata fatin dhe kam qenë nga shqiptarët e parë që shkova në fillim në SHBA se kisha dajën tim atje. Për çudi nuk më pëlqeu SHBA-ja shumë sepse larg dhe shumë rrëmujë, ndonëse kisha dhe shumë të mira atje nga daja që ishte prej kohësh doctor. Mua më mori malli për vendin tim dhe u ktheva. Sapo u ktheva në Shqipëri pashë që nuk më pëlqeu dhe thashë do iki prapë, dhe erdha në Gjermani bashkë me familjen time.
CMG: Gjatë karrierës suaj keni luajtur në teatër dhe kinematografi. Cilën nga këto dy zhanre të artit skenik preferoni më tepër?
Leka Sefla: Unë mendoj se këdo aktor me përvojë të pyesësh, do të të thonë teatrin, sepse teatri është më profesional. Ka mjaft aktorë të rinj që luajnë film dy-tre role dhe duken mirë, mirëpo mbarojnë aty. Kurse teatri është vetë shkollë dhe unë kam pasur fatin të punoj me aktorë të mëdhenj që ishte një shkollë e dytë, ku për ditë kishim shfaqje dhe mëson diçka. Sa vjen dhe kalon mosha, kupton se sa nuk ke ditur nga ky zanat sepse është i pafund. Për teatrin më ka marrë shumë malli.
CMG: Si e shikoni teatrin dhe kinemanë shqiptare në ditët e sotme?
Leka Sefla: Unë nuk mund të them që i kam parë të gjitha, por kam parë disa dhe mendoj se janë disa tendenca të reja, por kam një përshtypje që është harruar pak tradita e vjetër e aktorëve të mëdhenj të teatrit, është lënë pas dore. Teatri është një shkollë e vërtetë për të gjithë artistët e rinj, por më duket se njerëzit janë dhënë mbas anës së jashtme. Unë e thashë dhe më parë që është zanat shumë i thellë dhe do patjetër shumë eksperiencë që të arrish të mendosh sesa i vështirë është ky zanat.
CMG: Nëse nuk do ishit larguar nga vendi juaj, mendoni se do kishit vijuar me role të tjera në teatër dhe kinematografi?
Leka Sefla: Patjetër që po, edhe pse në atë kohë kishte disa problem, por me siguri do isha marrë me artin tim, që padyshim mund të them se më ka marrë malli shumë për një art të vërtetë dhe për kolegët e mi, që shumë prej tyre nuk jetojnë më.
CMG: Keni pasur mundësi që të luani teatër apo film në Gjermnai?
Leka Sefla: Në këtë qytet të vogël ku unë jetoj kishte një teatër që ishte gjysmë amator dhe profesionist dhe unë hyra me iniciativën time, që nuk ishte e thjeshtë me gjuhën, por vetë aktori e ka pak më të lehtë për të kapur anën e jashtme të gjuhës. Këtu kam bërë disa shfaqje si dhe merresha me fëmijët që t’u mësoja artin e të lexuarit dhe të recituarit, por kam pasur dhe shumë probleme këtu me prindërit, ndaj isha i detyruar që shpeshherë të largohesha nga ajo punë për të ndihmuar prindërit. Kështu që kam bërë diçka, por mund të bëja dhe më shumë.
CMG: E vizitoni shpesh Shqipërinë?
Leka Sefla: Unë nuk e kam vizitur vendin tim akoma. Janë bërë 31 vjet, por ka mundësi që kur ta vizitoj mos të kthehem më, të rri në Shqipëri. Besoj që ato mundësi që i kam prapë dua t’i shpalos në vendin tim.
CMG: Si është një ditë e zakonshme e juaja në Gjermnai?
Leka Sefla: Një ditë e zakonshme e imja është kudo njësoj në çdo vend të botës. Jeta e njeriut është aty-aty, pavarësisht mundësive dhe kushteve që janë më të mira këtu, por përgjithësisht është i njëjti veprim, është e njëjta jetë. Rëndësi ka që ti ta kesh të qartë se çfarë do të bësh dhe në mënyrë absolute duhet të kesh shëndetin sepse pa shëndetin nuk mund të bësh asnjë plan në jetë.
CMG: Ju keni sjellë mjaft interpretime artisktike dhe i keni publikuar në kanalin tuaj YouTube. Si kanë qenë përshtypjet e atyre që i kanë dëgjuar këto interpretime?
Leka Sefla: Janë të pëlqyera dhe unë shpeshherë kur i publikoj në faqen time në Facebook dhe Youtube më shkruajnë aty, por unë jam një person që nuk dua të bëj shumë bujë. Unë i lexoj ato profesionalisht me pasionin tim dhe për mua nuk është e rëndësishme sasia, por cilësia e materialit me modestinë time. Mendoj se janë të pëlqyeshme duke ju krijuar atyre nostalgjinë e dikurshme, me fjalën artistike në mikrofon ku besoj se njerëzit i ka marrë malli.