Emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe kanë qenë shpesh në shënjestër të qeverisë së Rishi Sunak, që jo pak herë i ka cilësuar problematikë. Megjithatë shifrat e publikuara tregojnë se vetëm 15 për qind të azilkërkuesve deri në fund të vitit 2022 kanë qenë shqiptarë.
Konkretisht nga 160.000 aplikime që i janë dorëzuar zyrës së brendshme, rreth 24 mijë kanë qenë shtetas shqiptarë. Mirëpo pavarësisht të shifrave zyrtare, qeveria britanike vazhdon të cilësojë çështjen e emigrantëve që udhëtojnë nga Shqipëria si shqetësuese për vendin.
Madje, media prestigjioze “THE INDEPEDENT” në një artikull shkruan se ministrat britanikë kanë ndërmarrë një tjetër hapë për të dëbuar sa më parë shqiptarët.
Qeveria britanike ka hequr masat mbrojtëse që parandalonin gjykimin e padrejtë të kërkesave të azilkërkuesve, në mënyrë që të mos refuzoheshin gabimisht. Qeveria njoftoi në heshtje ndryshimin, i cili heq nevojën e verifikimit të vendimeve që lejojnë njerëzit të dëbohen në vendet e tyre.
Ky vendim vlen për emigrantët që vijnë nga vendet të cilësuara si të sigurta nga Britania e madhe, ku ndër të tjera përfshihet Shqipëria por edhe Ukraina.
“Ndryshimi është pjesë e një operacioni më të gjerë, të koduar Bridora , për të cilësuar sa më shumë aplikime për azil të ardhur nga shqiptarët , si të “pabazuara” në mënyrë se të largohen sa më parë nga Britania e madhe, pas një rritjeje të numrit të emigrantëve mbërritur me varka të vogla”, shkruhet në artikull.
Zyra e Brendshme mohon të synojë ndonjë kombësi specifike, por referuar burimeve të cituara nga mediat, ligji aktual nuk po zbatohet në mënyrë të barabartë në lidhje me azilkërkuesit e tjerë, ndërsa shoqatat kanë akuzuar qeverinë për diskriminim.