Ditën e sotme u mbajtën në veri të Kosovës zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte e pakët për shkak se partia Lista Serbe ka bojkotuar procesin, megjithatë Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në 2 komuna, ndërsa PDK në dy të tjerat. Përkatësisht, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në Mitrovicën e Veriut dhe në Leposaviç ndërsa në Zubin Potokun dhe Zveçanin qytetarët ja kanë ‘besuar’ PDK-së. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se procesi zgjedhor në katër komunat në veri të Kosovës u mbyll me 1.567 votues, pra me vetëm 3.47% të trupit votues.
Rezultatet e votimeve në veri të Kosovës:
Mero Baze: Zgjedhjet pa zgjidhje në veri të Kosovës
LEXO EDHE:
Mero Baze: Zgjedhjet pa zgjidhje në veri të Kosovës
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq, fitoi 66.5 për qind të votave, apo 519 vota gjithsej.
Në Zubin Potok, Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës mori 52.1 për qind të votave, apo 196 vota.
Ndërkaq, në Zveçan, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës fitoi 60 për qind të votave apo 114 vota.
Kandidatja e pavarur në këtë komunë, Sllagjana Pantoviq – që ishte kandidatja e vetme serbe – fitoi pesë vota, apo 2.6 për qind.
Zgjedhjet në veri të Kosovës dhe bojkotimi nga ana e serbëve ka pasur reagime nga Beogradi zyrtar.
Presidenti Aleksandër Vuçiç i cilësoi zgjedhjet si ‘pushtuese’ dhe tha se serbët nuk do t’i shërbejnë interesave të Kosovës. Nga ana tjetër, presidentja Ana Brnabiç ironizoi procesin e zgjedhjeve duke thënë se janë zgjedhje “të lira” me “forca të armatosura”.
Gara pati 10 kandidatë, prej të cilëve vetëm Sllagjana Pantiç ishte serbe, ajo garoi si kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit.
Në katër komunat me shumicë serbe u votua në kontejnerë nëpër rrugët kryesore në veri, të cilat shërbyen si qendra votimi.
Votimi ka qenë kryesisht i rregullt dhe pa tensione, sidoqoftë siç pritej Beogradi zyrtar e ka parë krejtësisht ndryshe.
Më herët, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniçi, u bëri thirrje qytetarëve të dalin në votime dhe t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre legjitimë. Të njëjtën thirrje bënë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.
Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për ri regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.