Ka dalë përpara gjyqit 26-vjeçari shqiptar, që ka pranuar se ka vrarë babanë e tij. I riu doli sot përpara gjykatës ku në hyrje është përballur me disa njerëz që e duartrokisnin për veprimin që kishte bërë.
Teksa hynte në ambientet e gjykatës me pranga në duar, ai është befasuar nga turma e njerëzve që ndodheshin aty për të.
I riu nga Shqipëria, ka treguar se e ka kryer vrasjen ndaj babait për shkak se ai abuzonte seksualisht me të dhe motrat. Shqiptari u befasua teksa njerëzit bërtisnin: “Bravo”… “Ne jemi me ty”… “Të lumtë”!
Qytetarët grekë janë shprehur përpara kamerave se 26-vjeçari njihej si person i qetë, aspak problematik, nuk shqetësonte dhe as provokonte në shoqëri.
Mësohet, se ai i kishte thënë policisë greke, se e vrau babanë pasi 70-vjeçari jo vetëm që kishte abuzuar seksualisht me të, por abuzonte edhe me dy motrat dhe vëllezërit më të vegjël nga martesa e tretë, me një vajzë 10-vjeçare dhe një djalë 7-vjeçar.