Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në deklaratën e tij ka thënë se ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli do të vazhdojnë masën e paraburgimit, pasi trupi gjykues ka konstatuar se ekziston rreziku që ndërprerja e masës së paraburgimit ndaj tyre mund të pengojnë ecurinë e procesit.
“Trupi Gjykues konstatoi se vazhdon të ekzistojë rreziku që z. Thaçi dhe z. Veseli të pengojnë ecurinë e procesit dhe/ose të kryejnë vepra penale të tjera.
Trupi Gjykues konstatoi gjithashtu se këto rreziqe mund të zvogëlohen mjaftueshëm përmes kornizës për monitorimin e komunikimeve që përdoret në objektin e paraburgimit të DHSK-së.
Duke qenë se si z. Thaçi ashtu dhe z. Veseli, kanë qëndruar në paraburgim për një periudhë kohe të konsiderueshme”, ka thënë Doyle.
Ndërsa, lidhur me ecurinë e çështjes gjatë kësaj jave ai tha se ka përfunduar dëshmia e dy dëshmitarëve të parë, ndërkaq dëshmia e dëshmitarit të tretë po vazhdon në seancë të mbyllur.
“Dy dëshmitarët e parë të thirrur nga Prokuroria në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit i përfunduan dëshmitë e tyre. Ata dëshmuan me masa mbrojtëse dhe kryesisht në seancë private dhe që të dyve iu bënë pyetje nga ekipet e Mbrojtjes, dhe njërit prej tyre edhe nga mbrojtësi i viktimave. Dëshmia e dëshmitarit të tretë po vazhdon dhe po kryhet në seancë të mbyllur”, tha Doyle.