Analisti i njohur Frrok Çupi ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Çupi foli për vizitën e zyrtarit të lartë të SHBA, Gabriel Escobar. Sipas tij, takimi i Eskobarit me ish-presidentin Ilir Meta, i cili ka në koalicion Sali Berishën erdhi për shkak se amerikanët duan t’i kontrollojnë këta faktorë kaq të rrezikshëm. Analisti Çupi shprehet se Meta mori mesazhe të forta nga i dërguari i Amerikës për veten dhe Monika Kryemadhin.
Nga ana tjetër, Çupi tha se pas atij takimi Meta po punon për t’i “ngulu thikën” pas shpine Sali Berishës. Gjithashtu analisti paralajmëron se dyshja anti-amerikane rrezikon burgun për shkak të dosjeve të hapura në SPAK. Për datën 14 maj, ka një skenar tjetër sipas Çupit.
“Atë ditë plaset kaushi pushtetit që mund të fitojnë të dy bashkë. Berisha është ‘kopil’ domethënë i paligjshëm në atë ‘shtatzëni’. Kështu që puna e parë e Metës është dëbimi i tij. Se do t’i dorëzohet edhe Amerikës me servilizëm, duke i thënë: ‘E dëbova Berishën, më mbani mua…”, shprehet Çupi.
-Zoti Çupi, si e shihni vizitën e Escobar në Tiranë një muaj para zgjedhjeve lokale? Pse amerikanët vendosën të takonin Ilir Metën dhe pse ky i fundit ka në koalicion Sali Berishën?
Kudo dëgjohet kjo pyetje: “ Po pse vallë i dërguari i Amerikës takoi dy ‘krokodilët’ e korrupsionit dhe të krimit, Berisha dhe Meta?” Sigurisht, njerëzit janë të ndjeshëm ndaj çështjes, sepse vetëm te Amerika e gjetën shpresën se mund të shpëtojnë nga këta dy ‘fatkeqësi të mëdha’ të kombit. Thashë ‘dy fatkeqësi’? Kjo nuk është e saktë. Fatkeqësi do të ishte sikur një kob të binte nga qielli ose të dilte nga toka. Por këta kanë dalë prej nesh; e shikoni që përsëri ka tufa njerëzish që u shkojnë pas. Edhe mund t’i votojnë disa prej këtyre…
Ja pra kjo është situata që lidhet edhe me takimin e Escobar me Metën që është gjysma e Berishës. A është garant Amerika mes nesh dhe ‘përbindëshave’tanë?. A i kemi shpresat te Amerika?… Po!, besoj se kjo është përgjigjja. Atëherë Amerika duhet t’i kontrollojë këta faktorë kaq të rrezikshëm. A mund të kontrollohen pa i takuar? Besoj se jo. Hidhni një sy pas, te historia e tiranëve, banditëve dhe grabitqarëve të kombeve të tyre; si u eliminuan nën sulmet e Amerikës?! Millosheviç, Gaddafi, Saddam Hussein. Ja Saddami: Në18 mars 2003, një muaj pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 Presidenti Bush sinjalizoi vendosmërinë e tij për t’u përballur me Saddam Husseinin.
“Nuk ka dyshim se udhëheqësi i Irakut është një njeri i keq. Në fund të fundit, ai goditi me gaz popullin e tij… Ne po e shikojmë atë me shumë kujdes. Ne po e shikojmë atë me kujdes ”, tha Bush në një fjalimit të 11 tetorit 2001. Por administrata e kishte vënë syrin te Iraku shumë përpara 11 shtatorit. Hussein vëzhgohej që në Luftën e Gjirit, 1991, kur kishte dashur të vriste presidentin Bush i Madh. Shtetet e Bashkuara kanë dhënë sinjalet më të forta që në 19 maj 2021 se ish presidenti Berisha ka minuar demokracinë, ka zhvilluar korrupsion tëqenësishëm kundër interesave të popullit. Presidenti Biden tha se vepra e Berishës ka rrezik për sigurinë e SHBA… Këta të Berisha- Metës këtu kërkojnë fakte nga Amerika… Çfarë faktesh? Fakte si ai i Saddamit që desh të vriste presidentin amerikan?
-Mendoni se Metës i jane dhënë ultimatume për distancim nga Berisha?
Jo, nuk besoj se i janë dhënë sinjale për ‘shoqërinë me Berishën’. Besoj se i janë dhënë sinjale të forta për vetë Ilir Metën dhe Monikën. Turravrapi i Metës për të mbyllur ca vrima në fushën e krimit ekonomik, të korrupsionit e ndoshta edh të trafiqeve m njerëz dhe vrasjeve- për të cilat Berisha e ka kallëzuar, dëshmon se në takimin me Escobar, Meta e ka parë ‘vrimën e miut’. Prandaj ai ishte si gur me myshk kur doli nga takimi.
Dhe tani po manifeston dhelpëri, tradhti, mashtrim ndaj partnerit, besoj se edhe përgatitje për blerje votash…, me qëllim që të gjejë ndonjë qoshe duke ia punuar nga pas Berishës. Të mos harrojmë një gjë: Berisha dhe Meta kanë veprën të përbashkët, që nga viti 1995, por fundin e kanë secili për vete. Meta, kur ta shikojë Berishën duke shkuar në greminë, do të jetë i pari që ‘nuk e ka njohur kurrë’.
-Pse e takoi Berishën zonja Glover?
As për miqësi, as për rehabilitim, as për kompromis. Glover është ‘institucioni’ i parë perëndimor që e ka shpallur Berishën “minues të demokracisë”. Ajo ishte në krye të ODIHR në zgjedhjet e vitit 1996, kur u vodhën votat masivisht, u gjakosën zyrtarët e opozitës në sheshin “Skënderbej” dhe u shtrua rruga për luftën civile të pranverës së vitit 1997. Glover ishte ajo që njoftoi dhe argumentoi para botës se ‘për herë të parë’ një qeveri post komuniste dhe vetë presidenti shkatërroi procesin e zgjedhjeve.
Pa znj Glover, bota do të ishte e shurdhër dhe e verbër mbi krimet e Berishës kundër demokracisë. Tani ajo ndodhet përsëri në krye të Misionit. Sigurisht që Berisha tmerrohet nga prezenca e saj dhe takimet me atë që në vitin 96’ e përzuri dhe e shpalli “non grata”. Mbi këto balanca mbështetet bota sot, OSBE takon edhe “djallin” edhe Berishën. Anëtare e OSBE është edhe Rusia, por i takon.
-Çfarë e pret koalicionin e “non gratave” pas 14 majit?
Ka shumë linja sot, e më shumë do të shtohen duke iu afruar datës 14 maj. Po sjell disa prej tyre: Ku ta dish, mund të ndodhë që SPAK të zgjohet nga gjumi ose nga ankthi dhe mund tu vërë prangat të dyve, ose njërit. Ose edhe të bijve të Berishës. Ka një mijë fatura që i implikojnë në larje parash dhe në vjedhje. Me sa di unë, Fatmir Mediu ka dhënë dëshmi shumë të vlefshme për të vërtetën e ‘furrës Gërdec’ ku piqeshin njerëz për llogari të familjes. Po milionat e “CEZ” a do t’i kthehen këtij populli? Ilir Meta është në prag të burgut…
Këto ndodhin në ditët që po jetojmë. Por po erdhi puna për datën 14 maj, ka një skenar tjetër. Atë ditë plaset kaushii pushtetit që mund të fitojnë të dy bashkë. Berisha është ‘kopil’ domethënë i paligjshëm në atë ‘shtatzëni’. Kështu që puna e parë e Metës është dëbimi i tij. Se do t’i dorëzohet edhe Amerikës me servilizëm, duke i thënë: ‘E dëbova Berishën, më mbani mua…’ Çfarë tragjikomedi…
-Mendoni se drejtësia duhet të nisë hetimet për fushatën e Sali Berishës? Ku i gjen paratë kryefoltoristi, pasi KQZ nuk i dha asnjë fond?
Ju më pyesni nëse vallë Berisha ka lindur para të atit… Vetëm Konfuci ka thënë se ka lindur para babait, rreth një shekull. Ndërsa Drejtësia, nëse nuk vepron kësaj here, i bie që vdes para Konfucit dhe para Berishës. Nuk mund të ketë më besim te Drejtësia nëse nuk heton këtë aferë të tmerrshëm dhe tragjedi që luhet para syve të popullit.
Intervistoi: Rigels Seliman