Sali Berisha është tërbuar me ish-deputetin demokrat, prej vitesh tashmë analist politik, Preç Zogaj, pasi ky i fundit ka marrë pjesë në çeljen e fushatës elektorale të Partisë Demokratike, ku ka mbajtur edhe një fjalim.
Siç e ka zakon, Berisha ka shpërthyer në sulme të ashpra, duke e akuzuar Zogajn si bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit.
“Megjithatë zëri më i spikatur i ekipit të Alibeajt, ai që mbajti edhe një fjalim përpara njerëzve të UET, ishte analisti Preç Zogaj. Më shumë se për shkrimet apo daljet televizive, Zogaj është bërë i njohur edhe si një ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Pas publikimit të këtij fakti, ai e pati pranuar publikisht se ka shërbyer për sigurimin famëkeq. Në një intervistë përpara 12 vitesh, ai tregoi se si u rekrutua nga Sigurimi i Shtetit në vitin 1975 dhe mbrojti punën e tij”, shkruan Berisha në portalin e djalit të tij.
Është ironike në fakt, që këto akuza të bëhen nga një njeri që ka qenë me teserë partie dhe ka dëshmi se ka marrë më qafë kolegët e vet mjekë, duke i spiunuar.
Ndryshe nga ai, Zogaj është ndoshta i vetmi njeri që ka folur hapur se ka qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit, por siç rezulton dhe nga një vendim gjykate, nuk i ka bërë dëm njeriu.
Pra nuk ka marrë më qafë njeri, si sekretari i Partisë së Punës, Sali Berisha, që i ka akuzat me audio dhe shkrim.
Aq më tepër pastaj kur akuzon Alibeajn, që rrjedh nga një familje e persekutuar nga komunizmi.