Raporti mes fuqisë politike dhe perceptimit publik për pasurinë që kanë krijuar, i përndjek çiftin e politikës Meta-Kryemadhi.
Ata u futën në politikë mjaft të varfër, por deklaratat zyrtare zbulojnë një pasuri të konsiderueshme. Në vitin 2003, Meta ka deklaruar një banesë të përfituar nga privatizimi si dhe një banesë me verandë në Golem, 327 metra katror. Ai kishte marrë një hua 60 mijë dollarë nga Banka Italo Shqiptare për blerjen.
I njëjti deklarim ka vazhduar deri në 2006, kur çifti deklaron se e ka shitur shtëpinë në Golem 300 mijë euro.
Monika Kryemadhi në 26 mars të 2007 ka blerë 500 metra katror tokë arë dhe 200 metra truall në vlerën e 5 milionë lekëve në rrugën Teodor Keko në Tiranë. Edhe pse pjesa dërrmuese ishte tokë arë ku nuk lejohet ndërtimi, çuditërisht firmoset një kontratë sipërmarrje me kompaninë AgiKons për ndërtimin e një pallati.
Kryemadhi përfitonte plot 35 % të sipërfaqes së ndërtimit prej 1900 metra katrorë për kat. Pak a shumë, ajo përfitonte 1/3 e sipërfaqes, një koeficent mjaft i lartë në krahasim me kontrata të tilla të zakonshme. Pra, me 5 milionë lekë të investuara për tokën, pasuria e familjes Meta-Kryemadhi kapte vlerë miliona euro.
Në vitin 2010 familja Meta ka blerë një apartament banimi 200 metra katror, me adresë “rruga Brigada VIII” me vlerë 400 mijë euro. Nga kjo shumë, 200 mijë janë marrë kredi dhe 200 janë nga paratë që kanë deklaruar më parë. Në vitin 2010 ata kanë siguruar një vile me 2 kate me sipërfaqe 317 metra katror te Gjiri i Lalzit.
Fjala është për vilën luksoze që shihni. Ai është fqinj me aleatin e vjetër Sali Berisha. Sipas deklarimit, për vilën është bërë një këmbim mes Kryemadhit dhe shoqërisë “Lura” me 300 metra katror ambjente tregtare në Pallatin në Tiranë.