Ardian Nikulaj mbeti i vrarë këtë të mërkurë me armë zjarri. Ngjarja e rëndë ndodhi në Shëngjin në ambientet e lokalit të tij.
Nikulaj ishte një figurë e njohur në zonë, pasi ishte biznesmen në fushën e hoteleri turizmit, por ka pasur edhe aktivitet politik. Ai ka qenë kandidat i Partisë SocialDemokrate në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021.
Ai ka qenë kandidati numër 1 në listën e Partisë SocialDemokrate për Lezhën ku ka marrë 97 vota.
Në formularin e dekriminalizimit që ka dërguar në KQZ asokohe, 51-vjeçari ka pohuar se është dënuar me 4 muaj burg më 24 Nëntor të vitit 2003 ndërsa 3 vite më vonë, më 1 Dhjetor 2006, me gjobë.
Pyetjes se a ka qenë ndonjëherë i ndaluar apo arrestuar nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale, Nikulaj i është përgjigjur me po, por nuk ka dhënë sqarime pasi ka shkruar “nuk më kujtohen detaje”.
Gazetarja Vera Deda ka mësuar se ai ka qenë pjesë edhe e Këshillit Bashkiak të qytetit. Nikulaj ka lindur më 31 Tetor të vitit 1972 në Lezhë. Ai banonte në Shëngjin.