Qytetarët shqiptarë kanë paguar më shumë tatim mbi trashëgiminë apo dhurimin e pronave gjatë vitit që lamë pas. Referuar të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, duket se në vitin 2022 ka pasur më shumë prona të dhuruara nga një familjar tek tjetri apo të trashëguara, pasi vlera tatimore e paguar ka regjistruar rritje me 225 %.
Konkretisht vitin e kaluar janë paguar në total 354 mijë euro në formën e tatimit, nga 109 mijë euro të paguara në vitin 2021. Në janar të vitit 2020 hynë në fuqi ndryshimet ligjore në ligjin për tatimin mbi të ardhurat të cilat përjashtonin nga tatimi dhurimet brenda trungut familjar.
Konkretisht, sipas ligjit, të ardhurat e përfituara nga kalimi i së drejtës së pronësisë për banesën dhe/ose truallin, brenda lidhjes gjinore në familje, bashkëshort, bashkëshorte, fëmijë, vetëm një herë ndaj një përfituesi, nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria nuk tatohen. Ndërsa në rastet e tjera norma tatimore e aplikuar është 15 për qind.
Ndërsa së fundmi u hartua dhe miratuar një ligj tërësisht i ri për tatimin mbi të ardhurat sipas të cilit “përjashtohen nga tatimi: dhurimet dhe trashëgimia e përfituar nga ata që do të kualifikoheshin si trashëgimtarë ligjorë në radhë të parë dhe të dytë;
Dhurimet dhe trashëgimitë të marra nga ata që do të kualifikoheshin si trashëgimtarë të ligjshëm përveç shkallës së parë dhe të dytë, deri në 5 milionë lekë për tatimpagues për pasuritë e paluajtshme, dhe deri në 1 milionë lekë për pasuritë e luajtshme për tatimpagues.
Si dhe kalimi i të drejtës së pronësisë trashëgimtarëve ligjorë nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria, kur prona rrjedh nga bashkëpronësia e detyrueshme. Edhe në këtë rast, përjashtimi nga tatimi bëhet nëse trashëgimtari ose përfituesi i dhuratës provon që sendet e dhuruara ose të trashëguara janë tatuar paraprakisht ose janë raportuar nga i vdekuri ose dhuruesi. Në rastet e tjera norma tatimore është 15 %.