Për të kuruar dritën e syve, vajzën 13 vjeçe, kësaj familje shqiptare i nevojiten 160 mijë euro… një shumë e papërballueshme. Shpirti i është ligështuar babait e nënës së Stefanias, të cilët janë të gatshëm të japin dhe jetën e tyre për të shpëtuar vajzën.
Në një rrëfim për “Shqiptarët për Shqiptarët”, Flori, tregon se i është shkulur zemra nga vendi… sepse zemra e tij është e bija, Stefania. Me lot në sy dhe dhimbje të madhe, ai thotë se është i gatshëm të japë organet e tij, vetëm që e bija të shpëtojë…
“Është sikur zemra e shkulur, e mbajtur në dorë, që pret t’i japin ndihmë… ta vënë në vendin e duhur. Kjo është Stefania për mua (qan). Çdo pjesë të trupit tim e keni gati, ta merrni për Stefanian… jam i gatshëm ta bëj këtë gjë. Zoti do bëjë mrekulli dhe gjithë shqiptarët. Kontributi është ndihma, fuqia jonë. T’i japim jetë Stefanias, të mos e lëmë këtë lule të bukur të vyshket.”-rrëfen babai i 13 vjeçares.
E në krah të tij është Sonila. E mbytur nga lotët që duket sikur nuk i kanë pushuar për ditë me radhë… ajo përgjërohet për ndihmë gjithashtu, pasi burrë e grua nuk i kanë mundësitë financiare për ta kuruar vajzën.
“Jemi në muajin e Ramazanit, me shpresat tek i madhi Zot… (qan) ta shpëtojmë Stefanian nga kjo sëmundje kaq e rëndë. Iu bëj thirrje të gjithëve, ta ndihmojnë këtë vajzë të vogël… ju lutem më ndihmoni, ju lutem të gjithëve, me shpirtin e një nëne.”-thotë Sonila.